Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Mërkure, 20.11.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në rendin e ditës ishte shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht amendamentimin e nenit 1, pika 32.4 të këtij Ligji, i cili ka këtë përmbajtje : "Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës , shpërbëhet me vendimin e marrë nga dy të tretat e komunave pjesëmarrëse". Lidhur me këtë u zhvillua debat i gjerë me qëllim të amendamentimit të kësaj pike të këtij neni. Përkitazi me këtë u dhanë disa propozime për amendamentim, që kanë të bëjnë me çështjen e barazimit të asociacioneve, kompetencën e ministrisë për mbikëqyrjen e monitorimit të ligjeve, çështjen e tejkalimit të kompetencave të komunave, si dhe me çështjen e anëtarësimit të komunave në Asociacion, në mbështetje të dy të tretave të asambleistëve. Në përmbyllje të debatit u tha se nga këto propozime një grup punues do të bëjë një tekst të përbashkët amendamentimi, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.