Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 18.11.2013
Edhe në mbledhjen e sotme të Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, nuk është arritur pajtimi të procedohen dy pikat e mbetura nga seancat e shkuara që kanë të bëjnë me Raportin e Komisionit qeveritar privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, si dhe me krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për këtë proces privatizimi.
Kryesia është pajtuar që më 21 nëntor të mbahet seancë e re, në të cilën do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2014.
Në po këtë seancë, ndërkaq, do të shqyrtohen për herë të dytë Projektligji për Fshatin Zym i Hasit dhe Projektligji për sistemin e lejeve dhe licencave.
Edhe kësaj radhe, si rëndom në seancat e rregullta të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe do të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me gatishmërinë e shprehur të ministres së Integrimeve Evropiane; Vlora Çitaku, për të raportuar në Kuvend për ecurinë e procesit të Stabilizim-asocimit. Ata janë pajtuar që ministrja e Integrimeve të raportojë gjatë muajit dhjetor, kur në Kuvend do të debatohet për Raportin e Komisionit Evropian për Progresin e Kosovës.