Lajmet e fundit
GGD-ja nënshkruan një memorandum me Rotary Club për blerjen e Mamografit mobil
E Premte, 15.11.2013
Grupi i Grave Deputete nënshkroi sot Memorandumin e Mirëkuptimit me "Rotary Club Internacional RCPI dhe Community Building Mitrovica -CBI", i cili do të kontribuojë në fondin për blerjen e mamografit mobil me 9 600 euro. Me këtë rast kryetarja e GGD-ës, znj. Teuta Sahatqija, i njoftoi përfaqësuesit e këtij klubi për ecurinë e projektit dhe falënderoi mysafirët për gatishmërinë për të përkrahur këtë projekt, i cili si tha Sahatqija, ka tri komponente:shëndetin e gruas dhe afrimin e sa shumë akterve për të kontribuar, duke qenë njëkohësisht garanci për monitorim të aparaturës, si dhe fuqizimin dhe mobilizimin e grave.
Z. Sylë Alaj nga RCPI tha se kjo nismë është shumë fisnike dhe do ta përkrahet, sepse ia vlen qoftë edhe vetëm një jetë të shpëtohet.
Kurse znj. Afërdita Sylaj nga CBI tha:"Ne punojmë edhe për këtë çështje, sidomos në ngritjen e vetëdijes për kontroll të rregullt", ndërsa z. Neshat Asllanaj pohoi se do të vazhdojë bashkëpunimi me GGD-ën edhe në lëmin e trajnimeve etj.
Më pastaj deputetja Flora Brovina tha se ndihet e lumtur që ky projekt është afër përmbylljes, ndërsa kjo ndihmë dhe të tjerat që janë premtuar do të bëjnë që kjo aparaturë të arrijë sa më shpejtë në Kosovë .