Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtoreshën rajonale të Zyrës së UNICEF-it në Gjenevë , Kirsi Madi
E Premte, 15.11.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot znj. Kirsi Madi, drejtoreshë rajonale e Zyrës së UNICEF-it në Gjenevë, e cila shoqërohej nga dhe znj. Laila Omar Gad, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Në takim është biseduar për realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, për bashkëpunimin e mëtejmë , si dhe për objektivat që duhen përmbushur në lëmin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Drejtoresha rajonale e Zyrës së UNICEF-it në Gjenevë, Kirsi Madi, duke e falënderuar për pritjen, ka theksuar se gjendet në Kosovë në kuadër të analizimit të të gjeturave për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, sidomos të atyre me nevoja të veçanta dhe të fëmijëve nga radhët e komuniteteve pakicë, në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit deri më 2015. Ajo ka lavdëruar aktivitetet e Kuvendit për miratimin e legjislacionit për të drejtat e fëmijëve, si dhe për shënimin (vitin e kaluar) të 1 Qershorit, Ditës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. Zonja Madi është angazhuar që të përcaktohen edhe vija buxhetore për realizimin e të drejtave të fëmijëve, si dhe për monitorimin e zbatimit të ligjeve për të drejtat e fëmijëve.
Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar UNICEF-in për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit të Kosovës, sidomos për sa i përket përgatitjes së legjislacionit për të drejtat e fëmijëve. Ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishme mbështetjen që Zyra e UNICEF-it në Prishtinë ua ka dhënë Komisionit për të drejtat e njeriut, atij për Shëndetësi, si dhe atij për Arsim.
Duke e shprehur vullnetin e Kuvendit për të thelluar bashkëpunimin, Krasniqi u ka dhënë mbështetje projekteve të UNICEF-it edhe në planin lokal. Ai, ndërkaq, duke shprehur nevojën për një jetë më të mirë për fëmijët tanë, përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta, e ka parë të nevojshme ndihmën e mëtutjeshme të kësaj organizate ndërkombëtare për mbështetjen e komisioneve të Kuvendit për monitorim sa më të suksesshëm të ligjeve për të drejtat e fëmijëve.