Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Premte, 15.11.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot, në vazhdim të mbledhjes së djeshme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, (një pjesë të saj e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti) miratoi Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2012, me rekomandimet e komisionit funksional, formoi dy komisione ad-hoc, emëroi anëtarët e Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, si dhe anëtarët e AKP-së e të RTK-së.

Me propozime të grupeve parlamentare, Kuvendi formoi Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media dhe Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës. Ndërkaq, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, u emëruan anëtarët e Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, në përbërje: Valdete Daka dhe Nebojsha Boriqiq nga Gjykata Supreme e Kosovës, si dhe Asllan Krasniqi nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Nga të emëruarit u kërkua që në mbështetje të Ligjit për prokurimin publik, ta shqyrtojnë propozim-vendimin e qeverisë për emërimin e kryesuesit dhe të anëtarëve të OSHP-së, ndërsa Kuvendit t'ia paraqesin raportin me rekomandime.

Kuvendi, gjithashtu, miratoi propozim-vendimin e qeverisë që Ujup Krasniqi dhe Ismail Osdautaj të emërohen anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës, me mandat njëvjeçar.

Me votim të fshehtë, ndërkaq, anëtare të Bordit të RTK-së, u zgjodhën Afërdita Maliqi dhe Naime Beqiraj, në një garë prej katër kandidaturash, të rekomanduara nga komisioni ad-hoc.
Kryetarja e këtij komisioni, Xhevahire Izmaku, bëri të ditur se konkursi për anëtarin e Bordit nga radhët e komunitetit serb, duhet të përsëritet, për faktin se ka aplikuar vetëm një kandidat.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit