Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 14.11.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), shqyrtoi në parim pesë projektligje dhe dy raporte vjetore të institucioneve të pavarura.

Mbledhja filloi me pikën e zakonshme, diskutime jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat: Ferid Agani dhe Nenad Rashiq.

Në vazhdim, zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, prezantoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Procedimin e këtij projektligji në Kuvend, zv/kryeministri Bukoshi e arsyetoi me përmbushjen e objektivave të qeverisë në fushën e konkurrencës, evitimin e vërejtjes së Komisionit Evropian, të prezantuar në Raportin e Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, si dhe eliminimin e pengesave dhe vështirësive të natyrës administrative dhe procedurale, të hasura gjatë zbatimit të ligjit aktual.

Pasi mori përkrahjen e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, projektligji u miratua në parim dhe iu delegua komisionit përkatës funksional për shqyrtim të mëtutjeshëm dhe amendamentim.

Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri Bajram Rexhepi.

Në vazhdim, zv/kryeministri Hajredin Kuçi, prezantoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin për aktet normative dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Duke i konsideruar këto projektligje të një rëndësie të veçantë për qytetarët dhe institucionet, zv/kryeministri Kuçi tha se ato janë hartuar në kuadër të përmbushjes së kritereve dhe rekomandimeve që dalin nga Studimi i Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën, përmbushjes së kërkesave nga agjenci të ndryshme, harmonizimin e legjislacionit kundër korrupsionit me legjislacionin penal në fuqi etj.

Pas deklarimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe diskutimeve të deputetëve të tjerë, me shumicë votash Kuvendi miratoi projektligjet në shqyrtim të parë.

Raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për vitin 2012, ndërkaq, iu nënshtrua diskutimeve të gjera nga ana e deputetëve, të cilët dhanë vlerësime dhe vërejtje të ndryshme për mënyrën e funksionimit, politikën redaktuese, kualitetin e emisioneve, qasjen dhe performancën e tij. Një varg vërejtjesh i paraqiti edhe kryetari i Kuvendit. Por, u dhanë edhe vlerësime pozitive dhe u potencuan vështirësitë financiare me të cilat RTK-ja vazhdon të përballet. Në këtë aspekt, u shtrua nevoja për gjetjen e zgjidhjes për mënyrën e financimit të saj, si dhe e përkrahjes në strategjinë e digjitalizimit.

Raporti u hodh në votim por nuk i mori votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim.

Në vazhdim, Kuvendi procedoi me shqyrtimin e Raportit vjetor të Auditimit për vitin 2012, të cilin e prezantoi Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Lage Olofsson.

Në fjalën e tij para deputetëve, Olofsson bëri një përmbledhje të të gjeturave të zyrës së tij gjatë auditimeve në të gjitha institucionet e shtetit, për vitin e kaluar. Ai vlerësoi se këto pasqyra financiare tregojnë një pamje të vërtetë të situatës financiare për vitin fiskal. Sipas tij, pjesa kryesore e raportit ka të bëjë me mënyrën se si menaxhohen financat. Olofson tha se mund të shihet që menaxhimi i financave publike, deri në njëfarë mase, është organizuar sipas kornizës ligjore, por kur vjen puna te zbatimi, sipas tij, ka shumë sfida. Në këtë aspekt, ai përmendi fushat në të cilat janë identifikuar probleme të caktuara.

"Jemi përpjekur të japim rekomandime konstruktive për ndryshim dhe mendoj se kemi disa rezultate të mira. Po ashtu, kemi ndjekur nga afër se si adresohen rekomandimet tona në partneritet të ngushtë me menaxhmentin, për të rritur përmirësimet. Shpresoj se ky raport do të jetë i dobishëm, në mënyrë që t'i identifikojmë fushat ku mund të punojmë së bashku, për një shërbim më të mirë për qytetarët e Kosovës", theksoi ndër të tjera Olofson.

Në vazhdim, deputetët shpalosën qëndrimet e grupeve të tyre parlamentare përkitazi me raportin dhe të gjeturat e tij, duke dhënë vlerësime për punën e Auditorit.

Seanca ndërpreu punimet në mungesë të kuorumit, ndërsa vazhdon nesër në orën 10:00.

 

Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit