Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 13.11.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtuan disa raporte: Raporti i Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Shëndetësisë, Raporti i auditimit mbi menaxhimin e mbeturinave medicinave, Raporti i Auditimit të menaxhimit të prokurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe Raporti i Auditimit për sistemin e menaxhimit financiar dhe kontrolleve në Agjensionin Kosovar për Produkte Medicinale, të gjitha këto për vitin 2012.


Të ftuar në këtë takim ishin ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, drejtori i përgjithshëm në QKUK, Njazi Gashi, si dhe Arianit Jakupi, ushtrues detyre i kryeshefit të AKPM-së.

Gjatë shqyrtimit të Raportit të Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Shëndetësisë, anëtarët e komisionit paraqitën disa nga shqetësimet e tyre për këtë institucion. Me theks të veçantë u tha se ka probleme në fushën e regjistrimit të pasurisë, prokurim, në të hyrat dhe shpenzimet, etj. U tha se të gjeturat janë shqetësuese dhe se MSH-ja duhet të ndërmarrë masa për adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve nga ZAP-i.
Anëtarët e komisionit duke vënë në pah konkluzionet e auditorit sa i përket menaxhimit të buxhetit nga MSH-ja, theksuan se buxheti i MSH-së gjatë vitit 2012 është shfrytëzuar në shumën 87. 3 milionë nga 92.5 milionë dhe se pjesa më e madhe e buxhetit është shfrytëzuar për paga dhe mëditje. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, lidhur me këtë çështje përmendi faktin se buxheti për MSH-në është i vogël. Duke arsyetuar në detaje moshfrytëzimin e plotë të buxhetit, tha se e kanë parë të udhës që 5 milionët e tepruar të këtij institucioni të mbesin në suficitin e Qeverisë së Republikës Kosovës, e jo të keqpërdoren, ngase sipas tij buxheti nuk është përgatitur me kohë.
Më tej ministri i Shëndetësisë, si dhe përfaqësues të QKUK-së dhe AKPM-së, kanë dhënë sqarime të shumta për çështje të ndryshme që u ngritën nga anëtarët, me theks të veçantë për çështjen e vaksinave, banderolave, prokurimin, regjistrimin e pasurisë, etj. Ata u zotuan se do të zbatojnë rekomandimet e ZAP-it, ndërkaq sqaruan se disa sosh veçse janë zbatuar.
"Do të jemi të përkushtuar që rekomandimet të përmbushen krejtësisht, ngase tani është krijuar një klimë e përshtatshme", tha ministri Agani, duke shtuar se inkurajon kryeministrin e vendit që të vazhdojë me zbatimin e reformës, ngase sipas tij pa këtë reformë do të kemi riciklim të problemeve. Ai shtoi se tashmë janë në procesin e reformës së thellë në fushën e shëndetësisë.
Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, tha se krahasuar me vitin paraprak MSH-ja gjatë vitit 2012 ka punuar më shumë lidhur me rekomandimet e ZAP-it. Ai vlerësoi se sistemi i shëndetësisë është një nga problemet më të mëdha në Kosovë, duke përmendur faktin se nuk ka regjistrim të mirë të të hyrave.
Pas një diskutimi të gjerë lidhur me këto raporte, anëtarët e komisionit pasi paraqitën disa nga rekomandimet u dakorduan që miratimi i rekomandimeve të bëhet në një mbledhje tjetër të radhës.

Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit u pajtuan që të fillojnë procedurat për përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave vjetore financiare të KZAP-it, si dhe përzgjedhjen e auditorëve për auditimin e fushatës zgjedhore sipas Ligjit për financimin e subjekteve politike.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike