Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 13.11.2013




Mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për ndërmarrjet publike, ishte temë e dëgjimit të sotëm publik, organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit.

Duke folur për ligjin dhe zbatimin e tij në praktikë, përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Ramadan Sejdiu, tha se Qeveria në harmoni me ligjin ka emëruar të gjithë drejtorët dhe auditorët e brendshëm të ndërmarrjeve publike. Ai tutje shtoi se të gjitha ndërmarrjet publike janë të regjistruara në Agjencionin e Regjistrimit të Biznesit si shoqëri aksionare me pronar shtetin e Kosovës. Duke folur për zbatimin e Ligjit, Sejdiu tha se në bazë të raporteve nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, të gjithë drejtorët e bordeve hartojnë raporte tre mujore ashtu siç është paraparë me ligj. Duke folur për drejtorët e bordeve në ndërmarrjet publike, të cilëve u ka mbaruar mandati në pozicionet që kanë, Sejdiu njoftoi se atyre u është zgjatur mandati me vendim të Qeverisë, ndërsa së shpejti do të përzgjidhet edhe gjenerata e dytë e anëtarëve të bordeve. Për sa i përket sfidave në implementim e ligjit, përfaqësuesi i MZHE-së tha se ministria për vitin e ardhshëm parasheh plotësim-ndryshimin e këtij ligji, duke iu referuar neneve 7 dhe 12. Përfaqësuesi i Institutit GAP, Agron Demi, ndërkaq, tha se bordet e ndërmarrjeve publike funksionojnë me të zgjedhurit e vitit 2008, kurse performanca e tyre në të shumtën e rasteve nuk ka qenë pozitive. Lidhur me bordet të cilat janë treguar të pasuksesshme në menaxhimin e ndërmarrjeve, Demi u shpreh i bindur se ato duhet ndërruar sa më parë që është e mundshme. Sipas tij, plotësim-ndryshimi i ligjit nuk është i nevojshëm, ndërsa bëri apel në zbatimin e Ligjit aktual.

Përfaqësuesi i INDP-së, Burim Ejupi, vlerësoi se ligji duhet ndryshuar, ndërsa bordet e ndërmarrjeve publike i cilësoi si të politizuara. Ai po ashtu u shpreh se ndërmarrjet publike duhet të angazhohen më shumë për shërbimet e qytetarëve se sa për profitin e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, në paraqitjen e tij njoftoi se ata gjatë hartimit të Ligjit kanë qenë të përkushtuar që me këtë ligj qytetarëve t'iu sigurohen shërbime cilësore, si dhe t'u mundësohet komunave themelimi i ndërmarrjeve të reja. Pasi përmendi sfidat me të cilat disa nga komunat kanë problem me menaxhimin e ndërmarrjeve publike (siç është rasti me ndërmarrjet publike të Kosovatransit), ai u shpreh kundër ndryshimit të ligjit dhe kërkoi angazhim më të madh për zbatimin e ligjit aktual. Ai u angazhua që në bordet e ndërmarrjeve publike, të përfaqësohen edhe komunat.

Në favor të ligjit e kundër politizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike u shprehën edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Lumnie Hashani e Selman Buqolli. Ata po ashtu kërkuan që në borde të emërohen kuadro profesional të fushave përkatëse, ku sipas tyre në to duhet të përfaqësohen edhe punëtorët.

Për ligjin dhe zbatimin e tij, foli edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Haxhi Arifi. Ai kërkoi angazhim më të madh në zbatimin e ligjit, ndërsa u shpreh se nëse vjen deri te ndryshimi i tij, Sindikata do të marrë pjesë në amendamentim.

Rreth kësaj foli edhe sekretari i Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës, Sali Gjonbalaj. Ai pasi foli për një performancë pozitive të bordit, vuri në dukje edhe investimet pre 17 milionë euro që do të bëjnë në animin e humbjes së ujit. Ai pasi vlerësoi se ligji për ndërmarrjet publike është duke u zbatuar në masë të kënaqshme, nga të pranishmit kërkoi angazhim në parandalimin e keqëpërdoruesëve të ujit.


Pas kësaj, deputetët shtruan një varg pyetjesh, ndërsa kërkuan nga të pranishmit që rekomandimet lidhur me zbatimin e ligjit komisionit t'ia dërgojnë me shkrim.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...