Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 12.11.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi dy projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale dhe disa kërkesa të tjera.
Komisioni shqyrtoi dhe e procedoi për në seancë plenare Projektligjin për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional, me vlerësimin se kostoja financiare e tij është e përballueshme për buxhetin e shtetit. Nuk e përkrahu, ndërkaq, raportin me rekomandime të Komisionit për Legjislacion lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Administratën Tatimore dhe procedurat, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-102, duke qëndruar prapa rekomandimeve të veta.
Komisioni përkrahu, gjithashtu, kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2014, të cilën e prezantoi kryesuesi i Bordit, Ymer Havolli.
Në këtë mbledhje komisioni shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e tij.