Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Marte, 12.11.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, kryetare e komisionit, shqyrtoi Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012. Komisioni vlerësoi se në Raport nuk janë të paraqitura rastet e dhunës, ato të diskriminimit, të dhunës seksuale, numri i të zhdukurve dhe çështje të tjera me rëndësi për të drejtat e njeriut, e që bien në fushëveprimtarinë e këtij institucioni. Raporti u kritikua edhe për faktin se në të nuk janë të formuluara rekomandimet edhe për rastet e evidentuara të diskriminimit dhe padrejtësive individuale. Prandaj, anëtarët e komisionit vendosën që t'i rekomandojnë Institucionit të Avokatit të Popullit, që deri në mbledhjen e radhës të kompletojë Raportin dhe të formulojë rekomandimet përkatëse, para se të merret vendim në Komision.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe Raportin e KMDLNJ-së, për monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe të qendrave korrektuese në Kosovë. Këtë Raport komisioni e vlerësoi real dhe gjithëpërfshirës, andaj lidhur me përmbajtjen e tij u vendos që të njoftohet Kryesia e Kuvendit, ministritë relevante dhe deputetët. Po ashtu, lidhur me çështjet e ngritura në Raport komisioni vendosi t'i vizitojë institucionet përkatëse.
Komisioni shqyrtoi edhe disa peticione të qytetarëve, për të cilat raportuan deputetët: Rita Hajzeraj-Beqa dhe Kurtan Kajtazi.