Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 11.11.2013
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ku merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, shqyrtoi disa çështje aktuale të punës së Kuvendit. Me këtë rast u zhvillua një debati i gjerë lidhur me çështjen e Raportit të Komisionit qeveritar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së, si dhe krijimit të Komisionit hetimor për privatizimin e PTK-së, që ishin bërë shkak për shtyrjen e disa mbledhjeve të Kuvendit. Për të dalë nga kjo gjendje e cila do ta vazhdonte bllokimin e mëtejmë të punës së Kuvendit, Kryesia vendosi që të enjten e ardhshme ,më 14 nëntor, të mbahet një seancë e re. Në rendin e ditës së kësaj seance pas pikave të rëndomta:koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare do të shqyrtohen për herë të parë 5 projektligje, përkatësisht :Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës,Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligji për aktet normative, si dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Ndërkaq, në vijim në rendin e ditës do të jenë: Raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2012, Raporti vjetor i Auditimit për vitin 2012, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media,formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, emërimi i anëtarëve të Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, emërimi i anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës, si dhe emërimi i dy anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Për çështjen e procedimit për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend, të dy pikave diskutabile, për të cilat paraqiten mospajtime ndërmjet pozitës dhe opozitës, do të vendoset nga Kryesia bashkë me shefat e grupeve parlamentare në një mbledhje të radhës të saj.