Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Hënë, 11.11.2013
Komisioni për Punë të Jashtme në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin vlerësues për zbatimin e Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2013. Për sa i përket zbatimit të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, komisioni u fokusua në shqyrtimin e analizës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP). Analizën e GSJP-së për zbatimin e këtij Ligji, e cila është bërë me kërkesë të grupit punues për monitorimin e zbatimit të Ligjit, para komisionit e prezantoi, Dren Doli, ekspert i çështjeve juridike. Përfaqësuesi i GSPJ-së, Doli, ndërkaq, gjatë paraqitjes së kësaj analize u përqendrua në përmbajtjen e Ligjit, duke vlerësuar po ashtu edhe nivelin e zbatimit të disa marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës me shtetet e tjera. Duke iu referuar dispozitave ligjore të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, Doli vuri në dukje disa nga mangësitë e Ligjit, përkatësisht nenin gjashtë, tetë dhe 10, dispozita këto që kanë të bëjnë me të drejtën e negocimit të marrëveshjeve, nënshkrimin dhe procedurat e ratifikimit të tyre. Pas ekspozeut të tij lidhur me përmbajtjen e Ligjit, përfaqësuesi i GSJP-së, Doli i rekomandoi komisionit rishikimin e Ligjit. Përfaqësuesi i GSJP-së Doli, vuri në spikamë edhe bashkëpunimin jo adekuat të disa institucioneve në përpilimin e kësaj analize.
Deputeti, Hydajet Hyseni, nënkryetar i komisionit dhe kryesues i grupit punues për monitorimin e zbatimin e këtij Ligji njoftoi se grupi punues ende nuk ka arritur të formulojë raportin dhe të nxjerrë rekomandimet.
Pas kësaj, anëtarët e komisionit u deklaruan në favor të Analizës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike, mbi bazën e së cilës grupi punues do të plotësojë raportin me rekomandime i cili do të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës në komision.
Në vijim komisioni shqyrtoi edhe Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2013. Lidhur me këtë anëtarët e komisionit u shprehën se Raporti në përgjithësi paraqet në mënyrë objektive ngecjet dhe të arriturat në Kosovë. Po ashtu u tha se në Raport duhet përfshirë të arriturat dhe ngecjet e të gjitha institucioneve relevante në Kosovë. Sipas kryetarit të komisionit Kurti, ndërkaq, Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2013, Kosovën e paraqet në nivel më të lartë të të arriturave se sa ato që në realitet qëndrojnë.