Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...

E Premte, 08.11.2013




Zhvillimi i procesit zgjedhor të 3 nëntorit në veri të Kosovës dhe problemet që e shoqëruan atë, ishin temë e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë, të udhëhequr nga Ahmet Isufi, kryetar.

Anëtarët e komisionit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me ndërhyrjet dhe pengesat që iu bënë procesit zgjedhor në veri të vendit, nga grupe të caktuara kriminale, duke penguar qytetarët që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre të votës. Duke i dënuar këto akte dhune, ata kërkuan nga institucionet përkatëse që dhunuesit e zgjedhjeve të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë. Pati vlerësime, gjithashtu, se ka pasur hapësirë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare të sigurisë.

Komisioni u pajtua që të kërkojë nga EULEX-i dhe Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Policia e Kosovës, informatë lidhur me këto zhvillime, si dhe marrjen e masave shtesë për krijimin e kushteve të përshtatshme, në mënyrë që në zgjedhjet që do të përsëriten më 17 nëntor në disa qendra të votimit, qytetarët të kenë mundësi të votojnë lirshëm.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...