Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 07.11.2013
Edhe vazhdimi i sotëm i mbledhjes plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës ( i filluar më 17 tetor), i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, ka dështuar për shkak se grupet parlamentare nga radhët e opozitës (LDK e VV) kanë këmbëngulur që të vazhdohet me pikat e mbetura nga seanca e 17 tetorit, të interesuar sidomos për krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për privatizimin e PTK-së, si dhe për shkak të insistimit të deputetëve nga deputetët e PDK-së (të mbështetur edhe nga koalicioni qeverisës ) që në këtë seancë të miratohet Raporti i Komisionit qeveritar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së . Deputetët e AAK- së , ndërkaq, kanë mbajtur qëndrim që do të duhej të shqyrtoheshin të dy pikat që janë bërë shkak i bllokimit të Kuvendit.
Diskutimet kanë qenë të shumta nga të dy palët , të shoqëruara me replika të rrepta, deri në fyerje.
Duke i parë pozicionet e ngurta të deputetëve të të dyja palëve, kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar pauzë ( prej 30 minutash), në mënyrë që shefat e grupeve parlamentare të provojnë të gjejnë pika pajtimi, para se çështja të nxirrej në votim.
Që pa u dhënë pauza deputetët nga radhët e opozitës (LDK, VV dhe AAK) e kanë lëshuar sallën e seancave, ashtu siç kishin pohuar edhe në seancat e shkuara dhe në mbledhjet e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.
Pas pauzës, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili e ka kryesuar një pjesë të seancës,i ka njoftuar deputetët se mungon kuorumi për punën e Kuvendit. Ai ka theksuar se çështja do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit, e cila duhet të vendosë për vazhdimin e kësaj seance, duke uruar që në ndërkohë të arrihet një marrëveshje politike për zhbllokimin e punës së legjislativit të vendit.