Lajmet e fundit
Dita e dytë e takimit ndërparlamentar: Parlamenti Evropian Kosova
E Enjte, 31.10.2013
Në ambientet e Kuvendit të Kosovës vazhdoi punën takimi i gjashtë ndërparlamentar: Parlamenti Evropian - Kosova. Delegacioni i Parlamentit Evropian kryesohet nga z. Eduard Kukan, kryesues i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, kurse delegacionin e Kosovës e kryeson kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.
Seanca e sotme e Takimit ndërparlamentar vazhdoi me çështjet e riintegrimit,riatdhesimit dhe liberalizimit të vizave. Liberalizimi i vizave, është e drejtë e mohuar e qytetarëve të Kosovës, tha deputeti Hydajet Hyseni. Ai vlerësoi se Kosovës, përkatësisht qytetarëve të saj, është duke iu mohuar edhe e drejta e qasjes në drejtësisë ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrja e sportistëve të saj në garat me karakter ndërkombëtar. Për të arritur liberalizimin e vizave, Kosova tha në vijim Hyseni, duhet trajtuar në bazë të specifikave që ekzistojnë, ndërkaq, për sa i përket riintegrimit dhe riatdhesimit të qytetarëve, ai tha se kjo çështje duhet trajtuar në mënyrë ekuivalente, e jo duke marrë për bazë standardet etnike të të kthyerve.
Angazhime për integrim të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës
Duke iu referuar kësaj teme, deputeti, Petar Miletiq, vlerësoi se komuniteti serb nuk është integruar plotësisht në të gjitha fushat e jetës, gjë që sipas tij, paraqet problem në kapërcimin e sfidave që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Ai u angazhua për integrimin e plotë të këtij komuniteti në institucionet e Kosovës, veçanërisht të pjesës nga veriu i Mitrovicës. Lidhur me këtë, ai shprehu bindjen se kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve të tre nëntorit.
Depueti, Albert Kinolli, ndërkaq, pasi foli për përkushtimin e institucioneve, qendrore dhe lokale, theksoi se riintegrimi dhe riatdhesimi i qytetarëve duhet të jetë sa më i suksesshëm, duke vënë në dukje edhe angazhimin e Kuvendit për mbikëqyrjen e procesit të integrimit dhe të riatdhesimit.
Se Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në riintegrimin dhe riatdhesimin e qytetarëve të kthyer, foli edhe deputeti, Fatmir Xhelili. Ai vuri në spikamë zbatimin e rekomandimeve të komisionit në të cilin ai bën pjesë.
Deputeti Eduard Kukan, nga Parlamenti Evropian , ndërkaq, lidhur me këtë u shpreh:" PE e kupton që lëvizja e kufizuar e qytetarëve të Kosovës nuk është e drejtë", por, PE e mbështetë fuqishëm nevojën për të ndryshuar situatën.
Edhe për deputetin, Halit Krasniqi, liberalizimi i vizave është i rëndësisë së veçantë për qytetarët e Kosovës. Për këtë ai kërkoi mbështetje të vazhdueshme edhe nga PE-ja.
Deputeti Shaip Muja, vlerësoi se pengimi lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës është padrejtësi të cilën qytetarët janë duke e ndier me dekada. Ai me këtë rast foli në mënyrë kronologjike për emigrimin e qytetarëve, kryesisht në Evropën Perëndimore, për të cilin ai tha se hovin më të madh e ka arritur në vitet e 90-ta, si pasojë e represionit serb në Kosovë. Sot, tha në vijim ai, me mijëra qytetarë aplikojnë për posedim vizash, ndërsa një pjesë shumë e vogël e tyre arrijnë t'i sigurojnë ato. Sipas, deputetit Muja, nga liberalizimi i vizave përfitojnë vetëm qytetarët e ndershëm të cilët në rast të liberalizimit të vizave nuk do t'i keqpërdorin ato.
Deputetja Vjosa Osmani, ndërkaq, duke i'u referuar Raportit të Progresit për Kosovën, tha se ai do duhej të saktësojë se çfarë duhet bërë institucionet e Kosovës, e jo të flitet në mënyrë të përgjithësuar për obligimet institucionale. Ajo ngriti edhe çështjen e dëbimit të qytetarëve me sëmundje të rënda, për të cilët tha se në Kosovë është i pamundshëm riintegrimi dhe rehabilitimi i tyre. Lidhur me këtë, Osmani kërkoi mirëkuptim më të madh të shteteve që ballafaqohen me raste të tilla. Ajo kërkoi që PE edhe në të ardhmen të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit të saj në BE.
Ndihet mungesa e dhënies së informatave të besueshme nga pala serbe për vendndodhjen e personave të zhdukur
Në vijim temë e seancës ishte çështja e personave të pagjetur dhe procesi i bnashkërendimit. Kryetarja e Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe për persona të pagjetur, Suzan Novoberdali, në fjalën e saj theksoi se Kuvendi ka miratuar Ligjin për mbrojtjen dhe të drejtat e familjarëve dhe për fatin ë të zhdukurve. Mirëpo, ajo shfaqi shqetësimin se pala serbe nuk tregon angazhim të duhur për të zbardhur fatin e të zhdukurve. Ndër sfidat në këtë aspekt ajo përmendi faktin se ndihet mungesa e dhënies së informatave të besueshme nga pala serbe për vendndodhjen e personave të zhdukur. Në këtë vështrim ajo kërkoi ndihmën e Bashkimit Evropian, pasi një angazhim frytdhënës në këtë aspekt do të ishte çelës kyç për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Duke marrë pjesë në diskutim deputetja Doris Pack tha se në Raportin e Progresit nuk flitet sa duhet për këtë çështje, duke apeluar se duhet të tregohet se ku janë zhdukur këtë njerëz. Serbia nuk po jep informata , e ky është problem për familjarët. Çështja e të pagjeturve , tha ajo, duhet të merret seriozisht edhe në dialogun Kosovë -Serbi në mënyrë që ky kapitull të përfundojë, sepse kjo është histori e dhembshme dhe do të kujtohet gjatë. Në këtë aspekt duhet të bashkëpunohet edhe me EULEX-in. Deputetja Biserka Kostiq tha se lufta ka lënë pasoja të rënda, ndërsa mosndriqimi i çështjes së të pagjeturve sjell pasoja të rënda dhe afatgjata tek familjarët. Ky problem duhet të zgjidhet, kjo është me shumë rëndësi, ndërsa këtu nuk duhet shikuar kombësia , ose përkatësia fetarere.Kjo çështje duhet të ketë prioritet edhe në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha ajo.
Hydajet Hyseni përmendi faktin se sivjet Dita e të pagjeturve është shënuar bashkërisht nga qytetarët pa dallim përkatësie kombëtare. Ndërkaq, duke folur për numrin e të zhdukurve ai tha se 154 prej tyre janë fëmijë. Çështja e të pagjeturve, tha Shaip Muja mund të zgjidhet nëse do të kishte vullnet, mirëpo varret masive nuk po identifikohen nga ana e Serbisë. Në vijim Vjosa Osmani theksoi se zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të bëhet nga komisionet,kjo çështje duhet të shtrohet në tavolinë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe të Serbisë. Dukë marrë pjesë në diskutim kryekuvendari Krasniqi përmendi një fshat , në të cilin 51 veta ishin djegur, por nuk ka pasur përpjekje për t' i identifikuar. Të gjitha mbetjet janë në ndërtesën ku janë djegur ata më shumë se njëherë.
Seanca e sotme pastaj vazhdoi me temën e forcimit të sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, theksoi se korrupsioni është një ndër sfidat kryesore. Një pengesë në luftimin e tij është mos koordinimi në mes agjencive përkatëse që merren me zbatimin e ligjeve. Mossuksesi në luftimin e reflektohet në mosbesim të qytetarëve ndaj insrtitucioneve. Në vijim ai tha se Parlamenti i Kosovës ka aprovuar ligjet kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe shpëlarjes së parave. Hap i rëndësishëm është bërë edhe me aprovimin e Kodit Penal, i cili do të ketë ndikim pozitiv.
Antonio Cancian u shpreh optimist për rrjedhat e gjithmbarshme në Kosovë. Ai inkurajon institucionet dhe qytetarët e Kosovës për të shikuar drejt së ardhmes. Në këtë frymë ai me rëndësi të dorës së parë sheh forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe shteteve evropiane .
Rexhep Selimi në diskutimin e tij theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet një ndër sfidat kryesore edhe për integrim evropian edhe për zhvillim të Kosovës, duke vlerësuar se ka ngecje të mëdha në luftën kundër tij. Kosova, tha ai, ka nevojë për presion pozitiv që Qeveria t' i kryejë obligimet e saj në këtë aspekt, duke ditur se lufta lundër korrupsionit është në listën e gjatë të përmbushjes së obligimeve të Qeverisë drejt integrimit evropian.
Deputeti Fatmir Xhelili duke i bërë një vështrim monitorimit të ligjeve tha se zhvillimet e mira në përformancën e policisë nuk e përcollën Prokurorinë dhe Gjyqësinë. Në këtë vështrim, ai tha se është e nevojshme që Kosova të ndihmohet nga bashkësia ndërkombëtare për shkollimin e kuadrove në këtë fushë.
Të shtohen përpjekjet në realizimin e prioriteteve të caktuara me Planin Veprues për Viza
Në përmbyllje të takimit bashkëkryesuesit e Takimit të 6-të ndërparlamentar z. Krasniqi dhe z. Kukan dhanë një deklaratë, në të cilën theksohen arritjet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos në arritjen e marrëveshjeve, duke theksuar njëkohësisht edhe nevojën për transparencën më të lartë në komunikimin e rezultateve të dialogut dhe për përfshirjen e parlamenteve dhe shoqërive civile në procesin e zbatimit. Në deklaratë flitet edhe për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës që jetojnë në veri, gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit. Lidhur me këtë theksohet se pjesëmarrja do të jetë provë e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Njëkohësisht inkurajohen serbët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë që t'i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që të luajnë një rol konstruktiv në politikë dhe shoqëri, në veçanti duke marrë pjesë në mënyrë të ndërgjegjshme në zgjedhje.
Në deklaratë bëhet fjalë edhe për mirëpritjen e hapjes së negociatave mes Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) më 28 tetor, sipas vendimit të Këshillit Evropian të qershorit të vitit 2013, i cili miratoi mandatin për negociata për MSA-në. Në vijim u bëhet thirrje institucioneve të Kosovës ta përmirësojnë efektshmërinë, përgjegjësinë dhe paanësinë e organeve të drejtësisë dhe ta respektojnë pavarësinë e tyre; nxiten institucionet që në mënyrë proaktive ta forcojnë sundimin e ligjit, veçanërisht duke përndjekur krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke përfshirë edhe ata që gjenden brenda radhëve të tyre; shprehet brenga rreth mungesës së progresit të rëndësishëm në këto fusha; përsëriten thirrjet për përmirësimin e kornizës juridike dhe organizative për mbrojtjen e dëshmitarëve, theksohet rëndësia e punës së EULEX-it.
Në deklaratë theksohet rëndësia e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe inkurajimi institucioneve të Kosovës që të shtojnë përpjekjet në realizimin e prioriteteve të caktuara me Planin Veprues për Viza dhe të ndërmerren e zbatohen reformat e domosdoshme; theksohet edhe nevoja e evitimit dhe tejkalimit të pengesave politike e procedurale, që i bëjnë qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Evropë të privuar nga mundësia e shqyrtimit të ankesave të tyre në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.