Lajmet e fundit
Filloi punën takimi dyditor ndërparlamentar: Parlamenti Evropian Kosova
E Mërkure, 30.10.2013
Sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës filloi punimet dyditore takimi i gjashtë ndërparlamentar: Parlamenti Evropian - Kosova.
Delegacioni i Parlamentit Evropian kryesohet nga z. Eduard Kukan, kryesues i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, kurse delegacionin e Kosovës e kryeson kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.
Duke e hapur takimin, kryeparlamentari Krasniqi tha se më 14 dhe 15 mars të vitit të kaluar, në Strasburg është mbajtur takimi i 5-të ndërparlamentar: Parlamenti Evropian - Kosova, në të cilin janë shqyrtuar dhe debatuar në mënyrë konstruktive tema të rëndësishme të aktualitetit. Ndërsa sot, po takohemi për të gjashtën herë, duke pasur para vetes një agjendë mjaft të ngjeshur, me tema të mprehta, për zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe për perspektivën evropiane të saj.
Kryesuesi i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard Kukan, në fjalën e tij të hapjes , tha se ky takim ndodh në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe për perspektivën evropiane të saj. Ai tha se prania e delegacionit të PE-së sot në Kosovë, duhet të shihet si një shenjë mbështetjeje për punën e institucioneve të Kosovës në procesin e integrimit dhe përpjekjet e tyre për të formësuar Kosovën në rajon dhe Evropë.
"Kosova ka kaluar procese të rëndësishme gjatë periudhës së shkuar. Kemi parë zhvillime pozitive në dialogun me Beogradin, progres në agjendën evropiane, si dhe disa vendime të rëndësishme në politikën e brendshme të vendit", tha Kukan.
Duke cituar Raportin e Progresit për Kosovën, ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës ka ecur në hapa shumë të rëndësishëm dhe i inkurajoi udhëheqësit e Kosovës që të ecin përpara në këtë proces.
Në vazhdim, ai u ndal edhe në sfidat me të cilat përballet Kosova dhe punët që duhet të kryhen. Në këtë drejtim, ai tha se shteti i së drejtës mbetet gjithmonë thelbi i reformave që duhet të ndërmarrë Kosova në të ardhmen, sistemi gjyqësor duhet të jetë efikas, llogaridhënës, i paanshëm dhe i pavarur, krimi i organizuar duhet luftuar dhe shfarosur, ndërsa lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e besueshme dhe e vazhdueshme.
"Këto janë elementet të cilat janë të rëndësishme për të pasur një shoqëri të lirë e të hapur, si dhe për besimin e saj në sistemin demokratik", theksoi Eduard Kukan.
Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ai i konsideroi një sfidë të rëndësishme për Kosovën.
Pas miratimit të agjendës së takimit të pranishmëve iu drejtua kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Në fjalën e tij, kreu i legjislativit tha se nga Takimi i Pestë ndërparlamentar midis Parlamentit Evropian dhe Kosovës, që u mbajt vitin e kaluar, institucionet e Kosovës kanë vazhduar të jenë të angazhuara për zbatimin e agjendës evropiane, duke adresuar prioritetet e identifikuara në Raportin e Fizibilitetit të vitit të kaluar dhe aktualisht ato të Raportit të Progresit të tetorit të këtij viti. Krasniqi tha se gjatë këtij viti partneriteti i Bashkimit Evropian me Kosovën ka shënuar ngritje.
"Kosova tashmë ka hyrë në procesin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian. Bashkimi Evropian është pajtuar të nisë dhe sapo kanë filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, e cila besoj se do të arrihet shpejt, duke i hapur kështu vendit tonë perspektiva të reja drejt integrimit evropian", theksoi kreu i Kuvendit, ndërsa shtoi se në Kosovë në drejtim të integrimit evropian veprojnë disa institucione dhe mekanizma presidencialë, parlamentarë, qeveritarë dhe të shoqërisë civile, që shprehin përkushtimin për këtë aspiratë të vendit tonë.
Kryetari Krasniqi tha se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit përbëjnë një test të rëndësishëm të demokracisë së re në Kosovë dhe të unitetit shtetëror të vendit tonë, ndërsa nga rregullsia e tyre do të varen konsiderueshëm edhe zgjedhjet e përgjithshme për nivel qendror që duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Kryetari i Kuvendit shtroi nevojën e reformimit të sistemit zgjedhor në Kosovë.
Një tjetër sfidë para institucioneve të Kosovës, Krasniqi e konsideroi edhe forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryeparlamentari Krasniqi foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë, dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, për të zhdukurit dhe nevojën që kjo temë tragjike dhe e dhembshme të shtrohet në tryezën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Kosova ka miratuar ligjet bazike dhe ka ndërtuar një strukturë të re të gjyqësorit dhe të prokurorisë
Duke folur në temën: Progresi i Kosovës drejt integrimit evropian, shkëmbimi i pikëpamjeve me Qeverinë e Kosovës, Përfaqësuesin e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë dhe Komisionin Evropian, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, u ndal në tri çështje kryesore: zgjedhjet lokale, vazhdimin e dialogut me Serbinë, si dhe adresimin e të gjeturave nga Raporti i Progresit.
Kuçi e konsideroi të arritur miratimin e legjislacionit, duke theksuar përkushtimin e qeverisë, si sponsoruese kryesore e projektligjeve, që ato të jenë funksionale, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të përballueshme për buxhetin e Kosovës.
Sa i përket sundimit të rendit e të ligjit, zëvendëskryeministri i Kosovës theksoi se Kosova ka miratuar ligjet bazike në këtë fushë dhe ka ndërtuar një strukturë të re të gjyqësorit dhe të prokurorisë. Ai përmendi, gjithashtu, edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues i posaçëm i BE-së, Samuel Zhbogar, duke folur në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe Komisionerit për Zgjerim, u fokusua në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zgjedhjet e 3 nëntorit dhe proceset integruese të Kosovës. Në këtë drejtim, ai e konsideroi 2013-ën një vit të mirë për Kosovën, si në aspektin e integrimit evropian të saj, ashtu edhe të dialogut me Serbinë. Ai tha se ky proces ka sjellë ndryshime të qarta në Kosovë.
Zhbogar tha se zgjedhjet për nivelin lokal do të mbahen në të gjithë Kosovën dhe se janë më shumë se zgjedhje. Ai tha se ky proces zgjedhor do të hapë rrugë për institucione legjitime në përputhje me ligjin e Kosovës, në mënyrë që ato të përfaqësojnë siç duhet elektoratin. Ai tha se BE-ja pret zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, të cilat duhet të pasqyrojnë vullnetin e qartë të popullit.
Po në këtë temë foli edhe eurodeputeti Antonio Cancian.
Janë shënuar shumë të arritura, por ato pak po afirmohen
Në diskutimin e tij Hydajet Hyseni theksoi se mesazhi kryesor i angazhimeve në Kosovë është integrimi evropian, por Kosova në këtë aspekt është një rast sui generis. Ky vend është pa dilema për integrim, por ky synim është euforik, do të thotë nuk është sa duhet i operacionalizuar. Tani çështje është si ta bëjmë Kosovën që të funksionojë si Evropë. Kosova ka shënuar shumë të arritura, por ato pak po afirmohen, ndërsa nga kjo ka edhe pasoja. Ai pastaj foli edhe për çështjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për pengesat që dalin në këtë proces. Bëhen thirrje për standarde evropiane, por disa nuk duken të jenë evropiane, pra veprohet me kute të dyfishta.
Znj. Ulrike Lunaçek, duke u ndërlidhur me diskutimin e z. Hyseni theksoi:" Kur është fjala për standarde të dyfishta që u theksuan , disa prej tyre varen nga ju, pse nuk ishit në gjendje të bëni reformën elektorale. Kjo nuk i jep imazh të mirë Kosovës. Pra, nuk është fjala për standarde të dyfishta". Ajo në vijim foli edhe për domosdoshmërinë e luftimit më këmbëngulës të korrupsionit,i cili duhet të denoncohet. Edhe në Austri , tha ajo, ka pasur korrupsion , por ai u zbulua nga parlamentarët.
Procesi zgjedhor kredibil- hap shumë i rëndësishëm drejt BE-së
Takimi pastaj vazhdoi me temën: Reformat e sistemit zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme lokale. Përkitazi me këtë deputeti Halit Krasniqi theksoi se procesi zgjedhor duhet të jetë kredibil, si një hap shumë i rëndësishëm drejt BE-së. PDK-ja kësaj çështjeje iu ka qasur në këtë mënyrë edhe në Komisionin Qendror Zgjedhor, ndërsa për këtë janë dhënë komplimente nga ekspertë ndërkombëtare dhe vendorë.
Duke u ndërlidhur me këtë diskutim z. Lunaçek theksoi se ka mungesë zbatueshmërie në këtë aspekt. Nëse nuk sendërtohet reforma zgjedhore kjo do të reflektohet dhe do të dëmtojë imazhin e Kosovës. Ajo shfaqi shpresën se në procesin aktual zgjedhor gjërat do të shkojnë mbarë.
Deputetja Suzan Novobërdali në diskutimin e saj theksoi se infrastruktura ligjore është e mirë, por sfidë paraqitet zbatimi i saj. Ajo vlerësoi se vërehet një mosbesim te qytetarët sa i përket procesit të zgjedhjeve , që vjen si pasojë moszbatimit të premtimeve.
Znj. Doris Pack duke iu drejtuar të pranishmëve tha se Kosova fitoi pavarësinë , por partitë po merren me interesa të tyre partiake. Ajo shtroi pyetjen se si ky vend kaq i ri nuk aktivizohet më shumë për njohje edhe nga pesë vendet tjera të BE-së. Për progresin nuk është fajtor vetëm Ligji Zgjedhor. Angazhimi i denjë i deputetëve nga Kosova do të kontribuonte në përpjekjet që bëhen nga parlamentarët evropianë për të ndihmuar proceset e gjithmbarshme në Kosovë.
Për nevojën e përfundimit të shpejtë të reformës zgjedhore foli edhe deputeti Ahmet Isufi.
Rezultatet e dialogut janë dëshmi se BE-ja, si një fuqi e butë, arrin të trajtojë edhe sfida të ashpra
Diskutimet në temën e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i hapi eurodeputeti Tonine Picula, i cili dha një pasqyrë të luftërave në ish-Jugosllavi dhe marrëveshjeve të arritura ndërmjet popujve. Në këtë funksion, ai u ndal edhe në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për stabilitet e paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës.
Duke folur për bisedimet ndërmjet delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi, Picula tha se rezultatet e tyre janë një dëshmi se BE-ja, si një "fuqi e butë", arrin të trajtojë edhe sfida të ashpra.
Në trajtimin e kësaj teme kontribuan me diskutimet e tyre edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës: Shaip Muja, Hydajet Hyseni, Halit Krasniqi, Petar Miletiq dhe Ahmet Isufi, si dhe deputetët e Parlamentit Evropian: Lajos Bokros e Doris Pack.
Takimi i gjashtë ndërparlamentar: Parlamenti Evropian - Kosova, vazhdon punimet nesër me trajtimin e temave të tjera, ndërsa në përfundim pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët.