Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti delegacionin e PE-së, të udhëhequr nga Eduard Kukan
E Mërkure, 30.10.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot delegacionin e Parlamentit Evropian, të udhëhequr nga z. Eduard Kukan, i cili ndodhet në Kosovë në kuadër të takimit të 6-të ndërparlamentar, Parlamenti Evropian - Kosova.
Në takimin e sotëm është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet e Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian, duke e quajtur këtë ogur të mirë e fakt shumë të rëndësishëm për rrugën evropiane të Kosovës.
Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, i cili njëherësh është kryesues i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, ka shprehur kënaqësi që ndodhet në Kosovë për takimin e gjashtë me radhë ndërparlamentar me vendin tonë, për të arriturat e Kosovës dhe sidomos për fillimin bisedimeve për procesin e stabilizim-asociimit (MSA-së).
Kryesuesi i delegacionit të PE-së, Kukan, por edhe anëtarët e tjerë të tij, pjesëmarrës në diskutim, kanë shprehur brengosjen e tyre për dështimin e shpeshtë, të seancave të Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar se Kuvendi ka funksionuar mirë, deri kohëve të fundit, kur ka filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se Kuvendi duhet ta kryej edhe më fuqishëm rolin ligjvënës dhe atë mbikëqyrës ndaj ekzekutivit të vendit, si dhe për domosdoshmërinë e pranisë së kabinetit qeveritar në seanca, të cilët duhet tu përgjigjen çështjeve që ngrenë deputetët si shqetësime të qytetarëve. Janë pajtuar gjithashtu se zgjedhjet e lira dhe demokratike do të ishin mesazhi më i mirë i Kosovës për miqtë e saj të shumtë dhe vendet demokratike të botës.