Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në tryezën me temën “ Drejtësia dhe Qytetarët”

E Mërkure, 30.10.2013




Në kuadër të kampanjës" Drejtësia dhe Qytetarët", Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRPK), kanë organizuar sot tryezë pune. Tryeza është mbajtur në hotelin "Sirius" në Prishtinë, në të cilën mori pjesë edhe kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Në punimet e kësaj tryeze ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shteteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, përfaqësues të Qeverisë, deputetë dhe OJQ të shumta nga shoqëria civile. Duke iu referuar temës së debatit, kryeparlamentari Krasniqi foli për sistemin gjyqësor në Kosovë dhe kompensimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Duke folur për sistemin gjyqësor në Kosovë, ai u shpreh: "Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të konsolidohet, duke u përballur me presionin e kërkesave e nevojave për efikasitet më të madh". Për angazhimet e Kuvendit lidhur me konsolidimin e sistemit të mirëfilltë ligjor në Kosovë, kreu i Kuvendit u shpreh :"Kuvendi i Kosovës me përkrahjen e partnerëve mbështetës, e sidomos të SHBA -ve dhe BE-së, ka miratuar ligjet reformuese të sistemit të drejtësisë të përafruara me standardet e BE-së, siç janë: Ligji për gjykatat, Ligji për Këshillin Gjyqësor dhe Ligji për Këshillin Prokurorial". Duke shprehur përkushtimin e Kuvendit për vendosjen e një sistemi sa më të mirë ligjor në vend, kreu i Kuvendit, Krasniqi tha:" Jemi thellësisht të përkushtuar dhe të interesuar që drejtësia të rreshtohet në vendin e duhur".

Në vijim të fjalës së tij, kreu i kuvendit u fokusua edhe në nevojën e ngutshme për kompensimin e personave të dënuar padrejtësisht, ku me theks të veçantë foli për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politik. Për sa i përket kësaj çështjeje, kreu i Kuvendit vuri në pah se e drejta për kompensim është e garantuar edhe me norma ndërkombëtare për të gjithë personat e dënuar në mënyrë të padrejtë.

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në tryezën me temën “ Drejtësia dhe Qytetarët”