Lajmet e fundit
Nesër fillon në Prishtinë takimi dyditor ndërparlamentar: Parlamenti EvropianKosova
E Marte, 29.10.2013
Të mërkurën, më 30 tetor 2013, fillon punimet dyditore në Prishtinë takimi i gjashtë ndërparlamentar: Parlamenti Evropian - Kosova.
Delegacioni i Parlamentit Evropian kryesohet nga z. Eduard Kukan, kryesues i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, kurse delegacionin e Kosovës e kryeson kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.
Në takim do të diskutohen tema, si:
1. Progresi i Kosovës drejt integrimit evropian: shkëmbimi i pikëpamjeve me Qeverinë e Kosovës, Përfaqësuesin e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë dhe Komisionin Evropian;
2. Reformat e sistemit zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme lokale;
3. Forcimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
4. Ri-integrimi, riatdhesimi dhe liberalizimi i vizave;
5. Personat e Pagjetur dhe procesi i bashkërendimit, si dhe
6. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në përfundim të takimit do të miratohet një deklaratë e përbashkët.
Agjenda e takimit të gjashtë ndërparlamentar: Parlamenti Evropian - Kosova:
Takimi mbahet në sallën e seancave plenare.
Pjesa e parë e takimit mbahet të mërkurën në orën 15.40-18.30, kurse pjesa e dytë e takimit mbahet ditën e nesërme, e enjte më, 31 tetor 2013, në orën 9.00-12.30.
Mediat mund të marrin pamje nga të dy pjesët e takimit.
Në orën 12:30- 12:45 (po të kësaj dite) do të mbahet konferencë e përbashkët shtypi e cila do të udhëhiqet nga kryesuesit e takimit: Kukan dhe Krasniqi.
Në përbërje të delegacionit të Parlamentit Evropian, pos kryesuesit, Kukan, dhe do të jenë edhe:
z. Antonio CANCIAN, anëtar i Komisionit për Transport dhe Turizëm, znj. Ulrike LUNACEK, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Raportuese për Kosovën,
z. Lajos Bokros, anëtar i Komisionit për Buxhet,
znj. Doris Pack, kryesuese e Komisionit për Kulturë dhe Arsim, dhe
z. Tonino Picula, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme.
Në delegacionin e Kosovës, ndërkaq, pos deputetëve nga radhët e të gjitha komisionet dhe grupet parlamentare, do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.