Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti komisioneren e lartë për pakica në Hagë, znj. Astrid Thors
E Mërkure, 23.10.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot ambasadoren e re në krye të misionit të OSBE-së, si komisionere e lartë për pakica në Hagë, znj. Astrid Thors, me të cilën ka biseduar për liritë dhe të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë, si dhe për shkallën e përfaqësimit në institucione dhe integrimin në shoqërinë Kosovës.
Krasniqi ka përmendur mbipërfaqësimin e komuniteteve pakicë, sidomos të atij serb, në Kuvendin e Kosovës dhe në institucione të tjera të vendit. Ai ka pohuar me këtë rast kompetencat e larta të Komisionit parlamentar për interesat e komuniteteve, pa miratimin e të cilit nuk mund të kalojë asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës . Ndërkaq ka përmendur edhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve paranë Presidentes së vendit dhe Zyrës së kryeministrit. Krasniqi ka theksuar se do të ndjehej tepër i lumtur sikur komuniteti shqiptar në Serbi, në Maqedoni dhe në Mal të Zi të gëzonin të drejtat e tyre, sikurse i gëzon komuniteti serb në Kosovë.
Komisionerja lartë për pakica në Hagë, znj. Astrid Thors, duke falënderuar për këtë pritje, siç ka thënë ajo, në kohë të fushatës për zgjedhjet lokale dhe të angazhimeve të mëdha, është shprehur e ngazëllyer për zhvillimet pozitive që ka parë në Kosovë. Duke i vlerësuar shumë të rëndësishme bisedimet e Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ajo është interesuar sidomos për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë , si dhe për gjasat funksionimit të tij.
Në këtë takim është biseduar edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Bashkëbiseduesit janë pajtuar se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë tepër të rëndësishme për Kosovën dhe rrugën evropiane të saj, ndërkaq e kanë quajtur shumë të nevojshme që atë të vëzhgohen nga një numër i përshtatshëm vëzhguesish vendorë dhe të huaj.