Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Marte, 22.10.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, (një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetarja Riata Hajzeraj- Beqaj), shqyrtoi Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012. Në këtë Raport trajtohet niveli i zbatimit të Ligjit për barazi gjinore, lëvizjen e lirë dhe çështje të tjera nga lëmi i të drejtave të njeriut.
Duke paraqitur këtë Raport, i pari i Institucionit të Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, sqaroi se Raporti i këtij viti nuk ka ndryshime në strukturë, por, përmban normat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të parapara në kreun e dytë të saj. Ai foli edhe për rekomandimet e Raportit, të cilat tha se ato i propozon vetëm atëherë kur vlerësohet e domosdoshme. Në vijim, Kurteshi u përgjigj edhe në pyetjet që ngritën anëtarët e komisionit, duke dhënë sqarime të hollësishme për të gjitha çështjet që trajtohen dhe përmban Raporti. Duke folur për burimin e informatave, të cilave në disa raste ky Institucion u është referuar mediave, Kurteshi sqaroi se këtij Institucioni i lejohet të shërbehet edhe me atë burim të informatave. Por ato tema, tha ai, futen në Raport, vetëm atëherë kur verifikohen të sakta nga punonjësit e Institucionit.
Lidhur me rekomandimet që përmban Raporti, gjatë debatit disa prej tyre u harmonizuan me qëndrimet e komisionit, ndërkaq, vendimi përfundimtar për këtë Raport u vendos që të merret në mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe Raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit për të drejtat e fëmijëve. Për faktin se rekomandimet e Raportit nuk janë zbatuar në nivel të kënaqshëm nga institucionet relevante, komisioni vendosi që kjo pikë e rendit të ditës të trajtohet e veçantë në një nga mbledhjet e komisionit.
Në këtë mbledhje, komisioni ka miratuar edhe plotësim-ndryshimin e Planit të Punës për vitin 2013.