Lajmet e fundit
Mbledhja e kryetarit të Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare
E Marte, 22.10.2013
Përgatitjet për seancën plenare të radhës ishte temë e mbledhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, me shefat e grupeve parlamentare, pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë, të mbajtur po për këtë çështje. Kryekuvendari Krasniqi theksoi se ekziston një konstatim i përgjithshëm se kohëve të fundit , që nga fillimi i fushatës zgjedhore, ka ngecje të punës së Kuvendit, si kur është fjala për mbajtjen e rregull të mbledhjeve të komisioneve, ashtu edhe të seancave. Ai tha se disa deputetë që janë të angazhuar drejtpërsëdrejti në zgjedhje nuk do të duhej të jenë pengesë e mosmbajtjes së seancave, përkatësisht të vazhdimit të seancës së ndërprerë më 17 tetor të këtij viti, që ka 7 pika të rendit të ditës.
Gjatë debatit u tha se fushata zgjedhore nuk do të duhej të jetë shkak për mosmbajtjen e vazhdimit të seancës, por duke pasur parasysh ruajtjen e imazhit të Kuvendit, pra për të mos rrezikuar dështimin eventual të seancës këtë javë, u propozua që mbledhja e radhës së Kuvendit të mbahet pas 3 nëntorit.