Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 21.10.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shprehur brengosjen e saj për bojkotimin e shpeshtë të mbledhjeve plenare të Kuvendit.


Duke e parë trendin negativ të dështimit të seancave, sidomos gjatë fushatës parazgjedhore, kryeparlamentari Krasniqi ka ngritur çështjen nëse duhen mbajtur apo jo seanca derisa sa të përfundojnë zgjedhjet lokale.


Nënkryetari, Xhavit Haliti, ka pohuar se kanë mbetur të papërfunduara dy pika të rendit të ditës, të cilat janë bërë shkak i seancave të dështuara të Kuvendit: çështja e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së, si dhe çështja e formimit të Komisionit hetimor parlamentar për procesin e privatizimit të PTK-së. Duke konstatuar se lidhur me krijimin e komisioneve hetimore ka dallime ndërmjet Kushtetutës, Ligjit për hetim parlamentar dhe Rregullores së Kuvendit, ai ka kërkuar që Kryesia të marrë një qëndrim të qartë e të përbashkët para se çështja të radhitet për seancë.


Nënkryetari, Sabri Hamiti, ka theksuar se fushata aktuale parazgjedhore është vetëm shkas për dështimin e seancave. Ai ka pohuar se pozita shumë kohë para zgjedhjeve e ka humbur shumicën funksionale në Kuvend, duke shtuar se është rast i paprecedent që seancat parlamentare t'i bojkotojnë deputetët e koalicionit qeverisës, si dhe pjesëtarët e Kabinetit qeveritar, madje edhe atëherë kur duhet t'i prezantojnë projektligjet që i sponsorizojnë.


Duke mbajtur qëndrimin se shtetet normale sovrane e demokratike e manifestojnë seriozitetin e tyre nëpërmjet funksionimit të institucioneve, nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se do të ishte mesazh i keq për qytetarët nëse lejojmë që betejat politike parazgjedhore të pengojnë punën institucionale të Kuvendit.


Nënkryetari, Petar Miletiq, duke pohuar se shkak i mungesës së kuorumit të Kuvendit bëhen, herë deputetët e opozitës, për të penguar procesin e privatizimit të PTK-së, e herë deputetët e pozitës, për ta penguar funksionalizimin e komisionit hetimor për këtë proces privatizimi, është pajtuar që Kuvendi të mos mbajë seancë para tre nëntorit, me shpresën se pas zgjedhjeve do të fashiten tensionet politike.
Duke e parë me shqetësim gjendjen e krijuar nga këto rrjedha, nënkryetari, Rasim Demiri, ka propozuar që Kuvendi të mbajë mbledhje për miratimin e projektligjeve, por të mos merret me çështjen e privatizimit të Postës, para tre nëntorit.


Në përfundim të takimit të sotëm nënkryetarët e Kuvendit e kanë autorizuar kryeparlamentarin Krasniqi që, pas takimit të nesërm me shefat e grupeve parlamentare, të shohë mundësinë për thirrjen e seancës së re dhe të përcaktojë kohën e mbajtjes së saj.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës