Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 17.10.2013




Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë e ka drejtuar nënkryetari Sabri Hamiti) , e cila i ka filluar punimet me shumë pak deputetë ( mungonte shumica e deputetëve të koalicionit qeverisës ) dhe pa praninë e Kabinetit qeveritar, ka arritur të procedonte vetëm me një pikë të rendit të ditës, për të cilin nuk nevojitet kuorumi; deklarimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës.

Duke konstatuar se për mungesë kuorumi, seanca nuk ka mundësi të merret me punë legjislative, nënkryetari Hamiti ka pohuar se nuk ka kushte as për procedimin e pikës së përhershme të seancave të rregullta: pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, sepse mungojnë krerët qeveritarë, të cilëve u adresoheshin pyetjet: Ramë Buja, Besim Beqaj, Nenad Rashiq, Blerand Stavileci, Ferid Agani dhe Mahir Yagcilar. Megjithëkëtë deputetët; Hikmete Bytyqi, Afrim Kasolli dhe Time Kadriaj, kanë shtruar pyetjet e tyre, duke shfaqur shpresën se do të marrin përgjigje në mbledhjen e parë plenare të Kuvendit.

I pakënaqur nga dështimi i edhe i kësaj seance për mungesë deputetësh nga radhët e koalicionit qeverisës, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka theksuar; " Kjo është dëshmia më e mirë e bllokimit institucional nga pozita". Ai, ndërkaq, në emër të grupit parlamentar që e drejton, ka shprehur zotimin se deputetët e LDK-së nuk do të pranojnë të diskutojnë për asnjë çështje tjetër deri sa të funksionalizohet Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.

Kryetari i Grupit Parlamentar Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka theksuar se Qeveria nuk mund ta ndalë punën e komisioni hetimor, të cilin e kanë kërkuar 40 deputetë. Ai ka tërhequr vëmendjen se Kosova aktualisht nuk ka Qeveri dhe shumicë parlamentare.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Burim Ramadani, ndërkaq, ka spikatur:"Kjo qeveri po e rrëzon vetveten, ashtu siç e rrëzoi edhe ajo gjatë legjislaturës së shkuar".

Shqetësime lidhur me ecurinë e krijimit të këtij komisioni kanë shfaqur edhe Hikmete Bajrami e Hydajet Hyseni, kurse nënkryetari Hamiti, duke pikasur bllokimet e shpeshta të punës së Kuvendit, anashkalimin e legjislativit dhe imponimet që i vijnë nga ana e ekzekutivit, ka kërkuar prerë:"Çdo kush të përgjigjet institucionalisht për funksionin që e ka marrë në mënyrë institucionale".

Kryerparlamentari Krasniqi, duke e ndërprerë këtë seancë, i ka njoftuar deputetët se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare do të vendoset për mbajtjen apo jo të seancave gjatë këtij muaji, apo pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

 

 

 

 

 

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit