Lajmet e fundit

Kuvendi shënoi Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë

E Mërkure, 16.10.2013




Sot, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, u mbajt tryeza lidhur me prioritetet pas vitit 2015, të reflektuara në raportin global me titull: " Një milion zëra - Botën të cilën duam" , pjesë e të cilit proces është edhe Kosova, si dhe për popullatën dhe zhvillimet pas 2014-ës.


Me këtë rast foli kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Kosovës bazuar në konkluzionet e dala nga Konferenca Ndërkombëtare për popullatën dhe zhvillimin pas vitit 2014, që ndërlidhen me të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të monitorimit të ligjit për barazi gjinore, si dhe përfaqësues të agjencive zhvillimore të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues të shoqërisë civile.


Qëllimi kryesor i takimit ishte diskutimi mbi progresin e deritanishëm në arritjen e objektivave zhvillimore të Mileniumit e të përfshirjes sociale, si dhe sfidat e prioritetet e dala nga konsultimet e bëra për agjendën zhvillimore pas vitit 2015.


"Shpresoj të nxjerrim përfundime të qarta për hapat vijues të veprimeve në sferat të cilat ne si deputetë mund t'i përshpejtojmë deri në përfundimin e afatit të dhënë me Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, më 2015. Roli aktiv i parlamentit në planifikim të uljes së varfërisë, nxit një pjesëmarrje më të plotë të shoqërisë në zhvillimin ekonomik. Ndonëse Kosova nuk është ende anëtare e barabartë e OKB-së, ne jemi përkushtuar, duke theksuar edhe në Kushtetutë, se do të marrim përsipër aplikimin e konventave dhe protokolleve të OKB-së dhe Këshillit të Evropës. Procesi i "Pas 2015" parasheh ndryshime kualitative për objektiva më të qëndrueshme zhvillimore. Këtë linjë të interesimit duhet të përcjellim edhe ne si Kosovë, ashtu siç kemi marrë pjesë në konsultimet paraprake", tha kryekuvendari Krasniqi, gjatë fjalës së tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare për luftimin e varfërisë.


Kreu i Kuvendit shtoi se objektivat e qëndrueshme zhvillimore të së ardhmes thërrasin për angazhim më të shtuar, partneritet vendor dhe ndërkombëtar, si dhe mirëpresin përkrahjen ndërkombëtare dhe përcaktojnë vlerësimin e raportimin institucional të progresit kundrejt tyre. Ai theksoi se ato kërkojnë nxjerrjen dhe zbatimin e legjislacionit të nevojshëm për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarit të Republikës së Kosovës. "Kjo do të thotë punë më efektive në identifikimin e çështjeve drejt përfshirjes më të madhe sociale dhe zhvillimit njerëzor në Kosovë, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe vendimmarrje, qasje në informacion, edukim cilësor, krijim të vendeve të punës, dialog dhe integrim ndërkulturor ndërmjet komuniteteve, respekt për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit", tha kryetari i Kuvendit duke shtuar se edhe pse përballemi me kufizime financiare dhe buxhetore, me vullnet, vendosmëri e koordinim mund të ketë zgjidhje dhe rezultate për secilën nga sfidat e këtyre objektivave.


Krasniqi vlerësoi se Kuvendi nëpërmjet legjislacionit të miratuar, i ka ingranuar Objektivat Zhvillimore, ashtu siç është përcaktuar me Rezolutën për Deklaratën e Mileniumit dhe shtoi se pas kësaj Rezolute, Kuvendi ka miratuar edhe të ashtuquajturën "Letra e bardhë" që ka të bëjë me agjendën evropiane të përfshirjes sociale. "Këto politika zhvillimore e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane. Si deputetë dhe institucion suprem legjislativ e përfaqësues, ne kemi për detyrë të punojmë për mirëqenie më të mirë sociale, mundësi për punësim, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shëndet të mirë për të gjithë", tha kryekuvendari Krasniqi, duke përmendur faktin se Kosova duhet të vazhdojë t'i ketë si prioritete të larta rritjen ekonomike, luftën kundër varfërisë dhe uljen e papunësisë, barazinë gjinore, edukimin cilësor, shërbimet efikase shëndetësore, qëndrueshmërinë ambientale, përgjegjshmërinë ndaj qeverisjes dhe paqes e sigurisë.


Me këtë rast Krasniqi shtoi se Kuvendi do të vazhdojë të përmbush rolin e tij institucional, duke përpunuar dhe miratuar legjislacionin që përcakton ndryshimet pozitive në vend, ndërkaq inkurajoi deputetët që të shpalosin kapacitetin individual dhe profesional për ndryshim nëpërmjet të mjeteve institucionale dhe të reflektojnë në lidhje me përgjegjësinë personale dhe institucionale, si dhe të marrin iniciativa për veprime të shpejta.


Krejtësisht në fund kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, theksoi se sfidat dhe prioritetet urgjente me të cilat përballen institucionet e Kosovës, kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, luftën kundër krimit e korrupsionit, formësimin e legjislacionit të duhur dhe adekuat në lidhje me varfërinë, reflektimin e Agjendës për Përfshirje Sociale dhe Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit në planifikimet buxhetore dhe në planet e veprimit. "Për këtë qëllim, është me rendësi që ne të reflektojmë në lidhje me përmirësimin e botëkuptimeve tona institucionale, politike dhe publike. Duke u përqendruar në qëllime zhvillimore, ne jo vetëm që do të përmirësojmë jetën e secilit qytetar, por gjithashtu do të përmirësojmë pozicionimin global të Kosovës", përfundoi kryekuvendari Krasniqi.


Ndërkaq, Andrew Russell, koordinator i agjencive të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, tha se do të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, për të përmirësuar të dhënat nga analizat duke sqaruar fillimisht se Kosova është e përfshirë në konsultimet dhe në kontributin e përpilimit të raportit global, për prioritetet zhvillimore pas vitit 2015.


"Ky takim është një hap më tej, duke dizajnuar ligje dhe politika për të ndërtuar një qasje unike për Kosovën, gjë e cila do t'i sillte Kosovës një të ardhme më të ndritshme, brenda Evropës dhe komunitetit ndërkombëtar", tha Russell, duke bërë më tej një prezantim të gjerë të raportit.


Në vijim folën edhe deputetët: Suzan Novobrdali, Teuta Sahatqija, Nazane Breca, Vjosa Osmani, ndërkaq, deputeti Zenun Pajaziti, duke përmbyllur këtë tryezë përmendi disa nga çështjet kryesore dhe përfundimtare të dala nga ky debat. Ai tha se përkundër sfidave të mëdha dhe ngecjeve që theksohen në fillim të këtij raporti, regjioni ynë ka një përparim solid, ndërkaq, çështjet që u shtruan për kategori të veçanta duan angazhim shumë më të madh nga institucionet.


Duke konfirmuar disa nga pikat në përputhje me ato që u theksuan gjatë kësaj tryeze, u theksua se Kuvendi i Kosovës pa dyshim se do të vazhdojë angazhimin e vet, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar, në përputhje me Rezoluten e vitit 2008, si dhe të punojë në procesin e arritjeve të objektivave zhvillimore mijëvjeçare.


Pajaziti më tej shtoi se roli aktiv i parlamentit në zhdukjen e varfërisë, me politikat që janë pro planifikimit për uljen e varfërisë nxit një pjesëmarrje më të plotë të shoqërisë në zhvillimin ekonomik. "Për këtë parlamentarët duhet të vazhdojnë të jenë të informuar mirë për proceset në nivel të Kombeve të Bashkuara në agjenden "pas 2015". Edhe pse Kosova nuk është ende anëtare e organizatave të Kombeve të Bashkuara ne jemi të përkushtuar, duke theksuar se në kushtetuese do t'i marrim përsipër aplikimin e konventave dhe protokolleve të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës. Procesi pas 2015 parasheh ndryshime kualitative për objektiva më të qëndrueshme zhvillimore. Gjetjet dhe rekomandimet e raportit global për agjenden e pas 2015 duhet patjetër të merren parasysh dhe funksionalizohen gjatë procesit të vendimmarrjes, hartimit të politikave dhe legjislacionit , marrë parasysh se prioritetet globale dhe ato për Kosovën janë të ngjashme. Të sigurohet një qeverisje e mirë, sundimi i ligjit dhe mundësi të barabartë për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë barazia gjinore, në mënyrë që të realizohen objektivat zhvillimore dhe të fuqizohen mekanizmat e llogaridhënies , qeverisë dhe parlamentit , për të siguruar se angazhimet për zhvillim të qëndrueshëm janë bazuar në nivel lokal dhe në nivel gjithë kosovar", tha kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Zenun Pajaziti.


Në fund ai tha se Kuvendi duhet të sigurojë llogaridhënie në nivel vendi dhe se parlamentarët duhet të fuqizojnë edhe më tutje partneritetin me shoqërinë civile, sektorin privat, etj.

Kuvendi shënoi Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë