Lajmet e fundit
Nga tryeza e punës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Mërkure, 16.10.2013
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, në bashkëpunim me Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), organizoi sot tryezë pune me temën: Roli i institucioneve lokale në adresimin e politikave të efiçiencës së energjisë. Kryetari i komisionit, Zenun Pajaziti, fillimisht falënderoi PIPS-in për iniciativën e kësaj tryeze, ndërsa i siguroi të pranishmit se komisioni do të angazhohet në ngritjen e efiçiencës së energjisë. Ai po ashtu i siguroi të pranishmit se komisioni me përkushtim të veçantë do të monitorojë pakon e ligjeve që kanë të bëjnë me energjinë elektrike. Për qëllimin e tryezës dhe rolin që ka efiçinca e energjisë në zhvillimin ekonomik të vendit, foli Leonora Kryeziu, drejtoresh e PIPS-it. Jemi përpjekur, tha ajo, që në këtë tryezë të mbledhim përfaqësuesit e mekanizmave përgjegjës, për të diskutuar lidhur me mundësitë e përkrahjes sa më të madhe të politikave për efiçincën e energjisë. Pas kësaj, Naser Sahiti, profesor në Universitetin e Prishtinës, prezantoi analizën e PIPS-it: reflektimi i politikave nacionale për efiçiencë të energjisë në nivelin lokal. Në këtë analizë, Sahiti foli për rolin e efiçiencës së energjisë në politikat e BE-së, kornizën ligjore në nivel të BE-së dhe në nivel vendi, udhëzimet administrative, rregulloret, dokumentet strategjike dhe programore si dhe sfidat lidhur me zbatimin e kornizës ligjore. Për sa i përket energjisë efiçiente të ndërlidhur me cakun e deklaruarar për zvogëlimin e nevojave të energjisë për 20% deri në vitin 2020, ku në përmbushjen e këtij qëllimi obligohet edhe Republika e Kosovës, Sahiti, tha se deri më tani është përmbushur vetëm pakoja e ligjeve për energjinë elektrike.
Për këtë çështje, në vijim të debatit foli edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Fadil Ismajli. Duke shpalosur objektivat dhe sfidat e kësaj Ministrie, ai fillimisht u shpreh se efiçienca e energjisë është problem dhe çështje e pazgjidhur në nivel botëror. Ndërsa lidhur me angazhimet e MZHE-së, ai tha se ministria që ai drejton efiçiencën e energjisë e ka radhitur ndër prioritetet e para të kësaj fushe, e jo burimin e energjisë. Duke folur për ligjet, minstri Isamajli u ndal edhe te rëndësia e Ligjit për ndërtimet (ky Ligj është në fazën e amendamentimit), për të cilin tha se ka ndikim të drejtpërdrejtë në efiçiencën e energjisë.
Duke folur rreth kësaj teme, përfaqësuesi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, u fokusua në mosfunksionalizimin e zyrave për efiçiencën e energjisë në komunat e Kosovës. Sipas tij, shkak i kësaj gjendje është mungesa e buxhetit për punonjësit e këtyre zyrave, ndonëse komunat janë konsumuesit më të mëdhenjë publik të energjisë elektrike në nivel vendi. Ai foli edhe për realizimin e disa projekteve që kanë të bëjnë me këtë fushë, të realizuar me GIZIN-in gjerman. Lidhur me opinionin e shoqërisë civile në lidhje me efiçiencën e energjisë foli Maliq Pireci. Sipas tij, lidhur me këtë çështje duhet bërë më shumë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, ndërkaq vuri në dukje angazhimet e tyre për realizimin e disa projekteve në komunën e Dragashit. Ai foli edhe mangësitë të cilat, sipas tij, i ka Ligji për energjinë. Duke iu referuar nenit gjashtë të këtij Ligji, Pireci tha se ky nen nuk shpreh qartë themelimin e zyrave për efiçiencë elektrike nëpër komuna. Lidhur me këtë folën edhe Lulzim Syala, përfaqësues i përfaqësues i shoqatave për energji të rpërtritshme dhe Rinora Gojani nga INDEP-i. Ata ishin të mendimit se duhet bërë më shumë në sigurimin mjeteve për realizimin e projekteve që lidhen me efiçiencën e energjisë, dhe vlerësuan po ashtu se ky problem shpesh herë trajtohet si çështje politike.
Për sa i përket zbatimit të ligjeve për energjinë, në vijim të debatit foli edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht udhëheqësi i Agjencioniot për Mjedis, Ilir morina. Ai tha se në përgjegjësinë e komunave bie barra më e madhe e zbatimit të këtyre ligjeve, gjë që shprehur në përqindje ajo arrin deri në 70%, tha ai. Ai po ashtu u angazhua për nevojën e një debati sa më të gjerë lidhur me këtë çështje. Lidhur me këtë në vijim folën edhe deputetët: Shaip Muja, Myzejene Selmani dhe Sala Berisha -Shala, e cila para të pranishmëve lexoi rekomandimet e komisionit të nxjerra nga Raporti për monitorimin e zbatimit të Ligjit për energjinë.