Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 14.10.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten, më 17 tetor.

Pas një debati të gjatë është arritur pajtimi që në këtë seancë të shtrohet edhe një herë formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen për herë të parë katër projektligje: Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligji për aktet normativ.

Në vazhdim të seancës do të emërohen anëtarët e Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kurse në përfundim të seancës do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës.

Si rëndom në seanca të rregullta të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të kenë rastin të ngrenë çështje jashtë rendit të ditës dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në takimin e sotëm Kryesia ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për katër anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke e ngarkuar Administratën e Kuvendit që, në bazë të dispozitave të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të shpallë konkursin për kandidatët për anëtar të Këshillit.

Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, janë njoftuar me nismën e Zyrës së Presidentes për hartimin e Projektligjit të ri për Falje, si dhe për vizitën zyrtare Komisionit për Integrime Evropiane, të realizuar në Zagreb (prej 18-20 shtator 2013) dhe për vizitën e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të realizuar në Slloveni ( prej 23-26 shtator 2013).

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës