Lajmet e fundit

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, mbajti një fjalë në sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

E Hënë, 14.10.2013




Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili po merr pjesë në krye të një delegacioni parlamentar në punimet e sesionit vjetor të i Asamblesë Parlamentare të NATO-s,që po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë, iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë rasti. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve ai tha :"

I nderuar drejtues i seancës!
Të nderuar pjesëmarrës!


Ju falënderoj që më mundësuat të flas sot para Jush dhe besoj se do të më lejoni e mirëkuptoni të falenderoj njëherësh, edhe organizatorët e këtij takimi, që ftuan zyrtarisht përfaqësuesin e Republikës së Kosovës në të.


Pjesmarrja ime mes jush më jep rastin të shfaq konsideratat dhe vlerësimet për angazhimin dhe kontributet e NATO-s dhe BE-së për krijimin dhe konsolidimin e shtetit dhe të ndërtimit të demokracisë në Republikën e Kosovës, pavarësia e së cilës, deri sot, është njohur zyrtarisht nga 105 anëtarë të OKB-së, po që ende nuk njihet formalisht si anëtare e OKB-së.


Ky status aktual ndërkombëtar i shtetit më të ri evropjan, që shpresoj dhe besoj se do të ndryshoj së shpejti, më detyron të parashtroj në fjalën time disa konsiderata.


Së pari, dua të vë në dukje mendësinë dhe qëndrimin e bashkëkombësve të mi dhe të shtetit të Kosovës ndaj NATO-s dhe BE-së, që kanë një specifikë të ndjeshme në raport me të gjithë shtetet e tjera të përfaqësuar në këtë takim. Si rrjedhojë e këtij dallimi është edhe vlerësimi më sipëror i yni për rolin dhe kontributin e NATO-s dhe BE-së për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin gradual të tij në institucionet Euro-Atlantike. Këtë konsideratë e kam krijuar nga rrjedha e ngjarjeve dhe nga zhvillimet e deritanishme politiko-sociale ne Republikën e Kosovës dhe në raportet e shtetit tonë me fqinjët, sidomos me Serbinë. Pa angazhimin disaplanësh të faktorit ndërkombëtar të OKB-së, BE-së, NATO-s, EULEX-it, Kosova nuk do ishte sot bashkëpjesëmarrëse në këtë takim të organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.


Shqetësimi, në fokus të këtij takimi :" Normalizimi i plotë i rajonit nuk ka përfunduar ende", është shqetësim realist, sepse është i dukshëm dhe i prekshëm. Në bashkësinë tonë ka mungesa të normalitetit etnik, social dhe politik në rreth gjysmën e shteteve. Tri pjesmarrës në këtë takim, Bosnjë-Herzegovina, Kosova dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë mund ta deshmojnë këtë përfundim. Gjysma e anëtarëve të Ballkanit Perëndimor jane në lidhje të drejtpërdrejta me struktura të NATO-s, ndjejnë peshën, kontributin dhe pushtetin e tyre dhe natyrshëm kanë mësuar dhe vlerësojnë këtë kontribut.


Nga raporti i përgatitur nga reporterët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për Kosovën, kemi krijuar bindjen jo vetëm për objektivitetin dhe vërtetësinë e problematikës së parashtruar në të, por dhe për dashamirësinë realiste të interpretimit të tij. Frymën disi të theksuar kritike për dukuri politike-sociale dhe etnike, që janë të pranishme edhe në zhvillimet e fundit në vendin tonë e vlerësojmë si nxitëse për shpejtimin e ritmit të progresit politik për t'i hapur sa më parë negociatat me MSA-në, si dhe për të realizuar sa më shpejt premtimin e njohur publik të Qeverisë së Kosovës për liberalizimin e vizave të qytetarëve kosovarë në zonën Shengen.


Nga problematika e parashtruar në raportin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dua të veçoj dy çështje:
Së pari: Zvogëlimi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë në vitet e fundit.


Qysh nga shpallja e Pavarësisë është reduktuar gati tri herë kontigjenti i KFOR-it në Kosovë. Roli i UMNIK-ut në Kosovë është reduktuar thellësisht që prej vitit 2008. EULEX-i është i pranishëm dhe veprues ndonëse atakohet nga segmente të serbëve dhe jo-serbëve në Kosovë. Megjithatë, prania vepruese e faktorit ndërkombëtar në Kosovë vazhdon të jetë e nevojshme. BE-ja ka qënë shumë e përkushtuar dhe e vëmendshme për normalizimin e mardhënieve Kosovë-Serbi. Në përkujdesjen vigjiluese te Brukselit dhe posacërisht të Baroneshës Ashton, u arrit marrëveshja historike e 19 prillit mes dy shteteve. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, sipas deklaratës të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Rasmussen do të mbështetet nga KFOR-i, "me të gjitha mundësitë që ka, brënda mandatit të vet".


Së dyti: Shqetësimet e faktorit ndërkombëtar për zhvillimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit për pushtetin vendor në Republikën e Kosovës në parametrat e parashikuara në marrveshjen e 19 prillit.


Zhvillimi i afërt i këtyre zgjedhjeve, që vlerësohen ndërkombëtarisht si " Test serioz për kornizën e re administrative të Kosovës" sipas marrëveshjes së prillit, duket sikur është shndërruar në një "Mollë sherri" mes dy shteteve. Shfaqje sporadike të nacionalizmit, rezistenca e segmenteve të ndryshme politike në të dy shtetet, keqkuptimi me ose padashje i deklarimeve publike të pushtetarëve në Prishtinë dhe Beograd e detyruan Baroneshën Ashton, të thërrasë dhe ballafaqoj në Bruksel kryeministrat e të dy vendeve. Përfundimet e këtij takimi mendoj se janë një dëshmi dhe garanci e zhvillimit të zgjedhjeve të pritshme. Aktualisht Kosova është gati në gjysëm të fushatës dhe ecurija e deritashme e saj, normaliteti, mungesa e konfliktualitetit janë tregues pozitiv për përballjen e shtetit të Kosovës me zgjedhjet, të cilësuara dhe vlerësuara nga nderkombëtaret si " test serioz për kornizën e re administrative të Kosovës", por dukshëm, edhe si kartë kredibiliteti ndaj Kosovës prej NATO-s dhe gjithë miqëve dhe mbështetësve tanë ndërkombëtarë.


Jemi ende në rrugë për të nënshkruar MSA-në. Jemi ende larg për të qënë anëtarë të NATO-s. Sidoqoftë më dhatë mundësinë të flas para jush, dhe për këtë, si përfaqësues i ftuar i Republikës së Kosovës, ju falenderoj!,theksoi z.Xhavit Haliti.