Lajmet e fundit
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, merr pjesë në sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
E Hënë, 14.10.2013
Në Dubrovnik të Kroacisë është duke u mbajtur sesioni vjetor i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në këtë sesion po merr pjesë edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti.
"Marrëveshja Beograd- Prishtinë paraqet një hap tjetër të rëndësishëm në normalizimin e raporteve në mes të këtyre dy vendeve. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të vazhdojë. NATO-ja dhe KFOR-i kanë një rol kyç në zbatimin e kësaj marrëveshjeje", ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen gjatë fjalimit të tij.
Ai ka deklaruar se qoftë në Kosovë, Libi apo në Afganistan forcat ushtarake të udhëhequra nga NATO-ja me aftësinë e tyre kanë mundësuar t'i jepet fund dhunës dhe gjakderdhjes.
Po ashtu, forcat e NATO-s, sipas tij, kanë kontribuar në stabilitetin e këtyre vendeve. "Gjatë dekadës së fundit, Kroacia ka ecur përmes dyerve të hapura të NATO-s, siç kanë vepruar edhe Shqipëria dhe Sllovenia", ka thënë Rasmussen. Në këtë kontekst, ai ka thënë se dyert e NATO-s janë të hapura edhe për Bosnjë - Hercegovinën , Malin e Zi dhe ish-Republika Jugosllave të Maqedonisë, nëse ato demonstrojnë një vendosmëri të re për të tejkaluar mosmarrëveshjet e vjetra.