Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 09.10.2013




Në përpjekje për të nxjerrë një ligj sa më adekuat për investimet e huaja, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit mbajti sot dëgjim publik.

Për rëndësinë e Ligjit dhe fushën që rregullon ai, foli Valdrin Lluka, kryeshef ekzekutiv i Agjencionit për Promovimin e Investimeve në Kosovë. Ai pasi foli për mënyrën e investimeve të deritashme në Kosovë, sqaroi për rëndësinë që ka miratimi i Projektligjit për investimet e huaja. Ky Projektligj, tha Lluka, është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Odën Ekonomike të Kosovës dhe atë Amerikane si dhe me INDEP-in. Duke elaboruar përmbajtjen e Projektligjit të sponsorizuar prej tyre, përkatësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ai tha se në të janë përfshirë diaspora, ndërsa mundësitë e investimit do të jenë të ngjashme me ato të investitotërve vendor. Po ashtu, Projektligji është në harmoni të plotë me praktikat dhe standardet më të larta të shteteteve të BE-së, tha Lluka. Në fund të elaborimit të tij me këtë rast, Lluka shpjegoi se për të evituar disa dispozita ligjore të UNMIK-ut, të cilat ende janë në fuqi, Ministria është përcaktuar për hartimin e këtij Projektligji, për të cilin anëtarëve të komisionit u bëri apel që të kontribuojnë në miratimin e tij.

Në vijim foli nënkryetari i Shoqatës për Përpunimin e Drurit në Kosovë (SHPDK), Sheqir Ukaj. Ai vlerësoi se Projektligji duhet të krijojë më shumë favore për investitorët e jashtëm, ndërkaq tërhoqi vëmendjen se me Ligj duhet paraparë heqjen e tatimit në fitim bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë. Pas kësaj, fjalën e mori, Lumnije Hashani, përfaqësuese e Odës Ekonomike të Kosovës. Ajo pasi shprehu falënderimin për bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik gjatë fazës së draftimit të Projektligjit, u fokusua në nenet të cilat do të kenë implikime buxhetore gjatë implementimit të Ligjit në rast se do të miratohet në Kuvend.

Në vijim të debatit, Albert Maloku, drejtor i Bordit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), u fokusua në rëndësinë e miratimit të Ligjit, për të cilin vuri në pah se në mungesë të tij diaspora ka hezituar të investojë në Kosovë.

Në favor të këtij Projektligji u shpreh edhe Florim Lata, përfaqësues i Odës Franko-Kosovare. Po ashtu, edhe përfaqësuesi i INDEP-it, Burim Ejupi, pasi që u deklarua në favor të kët
ij Projektligji, foli për nevojën e trajtimit të punëtorëve me një nen të veçantë.
Pas kësaj, në debat u angazhuan deputetët: Myzejene Selmani, Hashim Deshishku, Ramiz Kelmendi dhe Shaip Muja. Deputetja Selmani, pasi vuri në spikamë fushën që do të rregullojë Ligji, u angazhua në përkrahje të Projektligjit duke theksuar se ai siguron infrastrukturën ligjore të domosdoshme për investime të huaja në Kosovë. Deputetët, Deshishku dhe Kelmendi, ndërkaq, insistuan se dispozitat ligjore të këtij Ligji duhet të përcaktojë heqjen e taksave doganore për lëndën e parë dhe të disa produkteve të repromaterialeve, si dhe ambalazhës së produkteve. Sipas deputetit Muja, Ligji është shumë i nevojshëm dhe adekuat për investitorët e jashtëm, ndërkaq, kërkoi nga përfaqësuesit e opozitës në komision që të angazhohen në mënyrë parimore dhe të kontribuojnë në miratimin e Ligjit.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...