Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 09.10.2013
Raporti vjetor i auditimit për vitin financiar 2012, ishte temë diskutimi në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu.
Pasi dha disa sqarime për raportin, auditori gjeneral, Lars Lage Olofsson, anëtarët e komisionit gjatë diskutimit të tyre paraqitën disa vërejtje, me theks te veçantë lidhur me rekomandimet e ZAP-it për Kuvendin dhe për Qeverinë, për të cilat rekomandime anëtarët e komisionit theksuan se nuk janë saktë të specifikuara por janë rekomandime të përgjithshme.
Olofsson gjatë prezantimit të raportit vlerësoi se organizatat buxhetore kanë trajtuar pasuritë në mënyrë më të mirë, krahasuar me vitin paraprak, ndërkaq shtoi se pasqyrat vjetore financiare janë të fryra.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit u paraqitën disa nga rekomandimet e komisionit. Mes tjerash u kërkua që të korrigjohet dhe modifikohet ky raport, për të cilën çështje Olofsson theksoi se ky është raport final për Kuvendin dhe se nuk mund të ndryshohet.
"Ky është raporti im. Dhe, nuk do të ndryshojë asnjë fjalë të vetme në këtë raport, i cili është i finalizuar dhe i përfunduar", tha Olofsson.
Anëtarët e komisionit rekomanduan se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të hartojë një plan konkret për trajtimin e borxheve të kompanive publike dhe ATK- së dhe trajtimin e borxheve të kompanive që janë në proces të privatizimit.
Po ashtu, u theksua se Ministria e Financave duhet të përkrahë organizatat buxhetore me shtim të auditorëve të certifikuar, ndërkaq Auditori i Përgjithshëm duhet të ftohet në mbledhje plenare për prezantimin e raportit vjetor.
Me këtë rast anëtarët e komisionit u dakorduan që këtë çështje ta shqyrtojnë edhe në takimin tjetër të radhës për të marrë vendimin final për raportin.