Lajmet e fundit

Vazhdoi pasdite punimet Konferenca e Gjashtë e Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor

E Marte, 08.10.2013




Ka vazhduar pasdite punimet Konferenca e Gjashtë e Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Budapest.
Gjatë këtij sesioni pjesëmarrësit kanë diskutuar në temën: Bashkëpunimi për Politika të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor: Kontributi në Stabilitet Evropian.

Në këtë pjesë të konferencës i diskutua për partneritetin rajonal, sundimin e ligjit, hartimin i politikave të sigurisë, luftën kundër korrupsionit e trafikimit, lëvizjen e lirë etj.


Po japim fjalën e plotë të kryeparlamentarit Krasniqi në seancën e pasdites:

"I nderuar zoti László Kövér, kryetar i Parlamentit të Hungarisë
Të nderuar përfaqësues të parlamenteve nacionale
Zonja dhe zotërinj

Rajoni ynë një kohë të gjatë ka pasur epitetin e keq, të fuqisë së barotit, për shkak të rreziqeve shpërthyese, konflikteve pa mbarim dhe të mungesës së stabilitetit, për shkak të mungesës së vullnetit politik. Por ajo gjendje i përket tashmë së kaluarës historike. Unë angazhohem që rajoni ynë të jetë ndryshe.

Vendet e popujt e Ballkanit Perëndimor dhe lidershipi i tyre politik, megjithatë kanë para vetes punë të vazhdueshme për të mbajtur stabil rajonin e tyre, për të forcuar paqen dhe frymën e bashkëpunimit, të marrëveshjeve mes vete për një perspektiv ndryshe, për një zhvillim ekonomik që ofron perspektiv e mirëqenie. Në këtë frymë dhe me këtë angazhim të përbashkët, ne do të bëjmë të pamundur kthimin e së kaluarës së hidhur dhe sigurimin e jetës në paqe e stabilitet të vendeve e të popujve tanë. Stabiliteti i rajonit tonë i kontribuon fuqishëm edhe vetë stabilitetit të mbarë kontinentit të Evropës. Kur Ballkani ka qenë i zhytur në luftëra edhe Evropa ka qenë pjesë përbërëse e atyre luftërave. E kaluara e rajonit tonë ka treguar, se luftërat për toka të huaja, nuk është zgjidhje, paqja, partneriteti, toleranca, zhvillimi ju duhet si buka e ujë popujve të Ballkanit ose Evropës Juglindore.

Kemi hyrë në epokën e paqendërtimit, të sigurisë dhe të stabilitetit ekonomik, politik e demokratik. Midis nesh mund të ketë ende çështje të hapura, por aspirata jonë integruese euroatlantike e bën të mundur zgjidhjen e tyre dhe sheshimin e të gjitha mosmarrëveshjeve në frymën e filozofisë politike evropiane.

Në plan aktual, bashkëpunimi në fushën e sigurisë midis vendeve tona, është nevojë e një rëndësie të madhe dhe në interes të përbashkët. Lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, të narkotikëve dhe formave të tjera të krimit, të cilat nuk njohin kufij, bëhet më mirë kur mekanizmat tanë kombëtarë të kësaj lufte bashkëpunojnë dhe koordinohen në plan rajonal e ndërkombëtar.

Në Kosovë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e konsiderojmë si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Europian, gjithnjë nën kriteret politike dhe standardet evropiane të drejtësisë, lirisë dhe sigurisë si dhe të Traktatit të Lisbonës.

Për parandalimin dhe luftimin e këtyre rreziqeve me karakter global, Kosova ka miratuar një kornizë të tërë legjislative dhe ka formuar institucionet përkatëse, me qëllim të forcimit të sigurisë e stabilitetit, si kushte të zhvillimit të gjithmbarshëm dhe përparimit. Me gjithë performancën e mirë të deritanishme institucionale dhe ndihmën e misionit evropian EULEX, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe vendosja e rendit të sundimit të plotë të ligjit, lë akoma shumë për të dëshiruar. Vullneti ynë politik është fitojmë mbi të gjitha pengesat kriminale ngado që vijnë ato.

Në jemi në proces të mbarë kundër krimit të të gjitha llojeve dhe të hapur për bashkëpunim rajonal në këtë fushë, sepse kemi shumë nevojë të mësojmë nga përvoja e të tjerëve dhe të koordinohemi në luftën e përbashkët kundër të keqes së përbashkët. Kjo luftë sistematike i kontribuon drejtpërdrejt procesit të integrimit evropian. Bashkëpunimi i afërt midis vendeve tona, shkëmbimi i informacioneve, ngritja e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbështetja reciproke logjistike, do të thotë mobilizim efikas kundër këtyre dukurive që rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe evropian. Interesi ynë i përbashkët mbetet: integrimi, partneriteti, sundimi i ligjit, stabiliteti e zhvillimi.

Duke qenë të ndërgjegjshëm që këto dukuri godasin më shumë shoqëritë në tranzicion, ne do të fuqizojmë institucionet profesionale të luftës kundër krimit, si policinë, prokurorinë e gjyqësorin, do të ngremë vetëdijen qytetare për mobilizim të përgjithshëm kundër tij, si dhe do të bashkëpunojmë me agjencitë, institucionet e sigurisë dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Beteja mbi krimin mund të fitohet dhe duhet të fitohet, qoftë edhe me sakrifica për një realitet të ri në rajonin tonë.

Ju faleminderit për vëmendje".

 

Vazhdoi pasdite punimet Konferenca e Gjashtë e Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor