Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Marte, 08.10.2013




Zbatimi i Ligjit për personat e zhdukur, ishte temë qendrore në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, kryesuar nga Suzan Novobërdali, kryetare e këtij komisioni.

Për këtë Ligj dhe angazhimet e deritashme për zbatimin e tij, njoftoi kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj. Ai fillimisht iu referua pyetësorit, të cilin e ka formuluar grupi punues për monitorimin e ligjit. Sipas tij, disa nga pyetjet në pyetësor kanë konatocion politik, andaj Komisioni Qeveritar nuk u është përgjigjur, tha ai. Për sa i përket zbatimit të Ligjit, ndërkaq, Gjetaj vlerësoi se Ligji për personat e Zhdukur, gjen zbatim të plotë në jetën e përditshme, ndonëse numri i të pagjeturve ende vazhdon të mbetet i lartë prej 1722 personave. Duke folur për mangësitë e këtij ligji, ndërkaq, Gjetaj theksoi se përkundër faktit që ai është duke u zbatuar me përpikëri, nuk i përmbush nevojat e plota të familjarëve të të pagjeturve. Ai me këtë rast iu referua mostrajtimit adekuat familjeve të të pagjeturve nga fusha socio-ekonomike. Interesimit të komisionit, se a kanë mbështetje nga Qeveria e Kosovës në përmbushjen e misionit të tyre, Gjetaj u përgjigj:" Komisioni qeveritar për persona të zhdukur, ka mbështetje të pa rezervë nga Qeveria". Lidhur me numrin e madh të të zhdukurve, ai u shpreh se është pasojë e trajtimit human të kësaj çështje nga politika. Lidhur me këtë, ai po ashtu njoftoi se kryeministri i vendit këtë çështje e ka ngritur edhe në bisedimet që janë duke u zhvilluar me Serbinë, ku nga faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Serbisë t'i bëhet presion më i madh për të ndikuar në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Pas kësaj, anëtarët e komisionit u njoftuan për gjendjen në Institutin Special në Shtime dhe për gjendjen në Qendrën e Shëndetit Mendor, po ashtu në këtë qytet. Lidhur me këtë, fillimisht njoftoi ministri i Minsitrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Sa i përket Institutit Special në Shtime, Rashiq njoftoi se ministria që ai udhëheq, ka bërë përpjekje të vazhdueshme në krijimin e kushteve sa më të mira për rezidentët në këtë institut, duke vënë në pah po ashtu edhe sfidat me të cilat ballafaqohen. Ai njoftoi për investimet e realizuara nga Minsitria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e që kishin të bënin me renovimin e objekteve, instalimin e ngrohjes qendrore dhe të nyjeve sanitare në objektet e këtij instituti.

Lidhur me Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime, ndërkaq, njoftoi Gani Halilaj, shef i Zyrës për Shëndetin Mendor në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, gjendja në këtë institucion është ndër më të mirat krahasuar edhe me shtetet e rajonit. Këtë konstatim, Halilaj e mbështeti në vlerësimin e organizatave ndërkombëtare të cilat kishin realizuar vizita në këtë qendër. Ai në vijim njoftoi edhe për angazhimin e tyre për trajtimin sa më të mirë të 65 rezidentëve të kësaj qendre, për të cilët tha se as një herë nuk është ndier mungesë e barnave. Ai, po ashtu njoftoi për investimet e Ministrisë në shtëpitë integruese në bashkësi për të trajtuarit e Qendrës së Shëndetit Mendor në Shtime. Ndër sfidat që ata i përcjellin, Halilaj vuri në dukje buxhetin e pamjaftueshëm në shtimin e stafit profesional të qendrës.
Komisioni shqyrtoi edhe disa peticione të qytetarëve.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...