Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 07.10.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, raportoi sot, ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, lidhur me përgatitjen e institucioneve të Republikës së Kosovës për fillimin e negociatave për MSA-në.
Duke e quajtur këtë proces si një fillim të mbarë, pas 10 vjetësh pritjeje të qytetarëve të Kosovës, kryetari i Komisionit Lutfi Haziri, vlerësoi se Komisioni për Integrime Evropiane do ta forcojë rolin e tij kushtetues edhe gjatë negociatave, duke ushtruar me përgjegjësi të plotë gjithë angazhimin, në mënyrë që negociatat të prodhojnë rezultate.
Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, duke dhënë sqarimet e nevojshme në çështjet të cilat u ngritën gjatë këtij takimi, vlerësoi se nisja e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE-së është një moment vendimtar në kuadër të procesit integrues të vendit tonë.
"MSA do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, nëpërmjet të së cilës do të bëjmë zotime të ndërsjella. Kosova do të jap zotimin për të bërë reforma më të thella, ndërsa BE-ja do të forcojë mundësi reale për anëtarësim", tha ministrja Çitaku, duke shtuar se qëllimi i MSA-së është ofrimi i kornizës politike dhe ligjore që do të rregullojë procesin e përafrimit dhe anëtarësimit në BE.
Tutje, ajo shtoi se ka një agjendë ambicioze për një marrëveshje që do të përfshijë të gjitha elementet tradicionale të MSA-së, sikurse për vendet tera të rajonit. "Presim që negociatat për MSA-në të fillojnë në vjeshtë të këtij viti, në pjesën e dytë të muajit tetor. Ndërkaq, synim yni mbetet që negociatat të përmbyllen deri në pranverë të vitit të ardhshëm", tha ministrja Çitaku, duke u përgjigjur më tej edhe për çështje tjera, që u ngritën nga anëtarë të komisionit lidhur me karakterin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit, çështjen e azilkërkuesve, reformat në administratën publike, etj.
Krejtësisht në fund, pas raportimit të ministres Çitaku, kryetari i komisionit, Lutfi Haziri tha se procesi për integrime evropiane nuk duhet të përdoret për interesa grupore individuale apo partiake, ngase kjo e dëmton konsensusin dhe këtë proces, tha Haziri.