Lajmet e fundit
Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Enjte, 03.10.2013
Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e Privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së, ishte temë e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit. Seanca është thirrur në mbështetje të kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të disa deputetëve të tjerë,me gjithsej 40 nënshkrues. Kërkuesit e seancës kanë precizuar që Komisioni hetimor të ketë mandatin kohor të punës, konform ligjit (prej gjashtë muajsh) dhe të përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët emërohen në seancë nga të gjitha grupet parlamentare .
Duke hapur mbledhjen,në të cilën nuk merrnin pjesë deputetët e GP të Partisë Demokratike dhe disa deputetë të tjerë nga grupe parlamentare të pozitës ,kryekuvendari Krasniqi njoftoi deputetët me procedurën ligjore të procedimit të kërkesës për formim të Komisionit Hetimor, duke u mbështetur në nenin 77,pika 4,pastaj të Ligjit për Privatizim dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës,sipas të cilave një e treta e deputetëve të Kuvendit mund të kërkojnë formimin e Komisionit Hetimor për çështje të caktuar. Sipas Kushtetutës Komisioni zgjedhet detyrimisht nga ana e Kuvendit, ndërsa Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh që anëtarët e Komisionit të zgjedhen me shumicë votash. Mirëpo, në raste të tilla Kushtetuta e ka fuqinë më të madhe se Ligji dhe Rregullorja.
Pastaj fjalën e mori parashtruesi i kërkesës, Ismet Beqiri,kryetar i GP të LDK-ës, i cili theksoi se në mbështetje të nenit 77,pika 2 të Kushtetutës së Kosovës GP i LDK-ës dhe GP VVetëvendosje, si dhe disa deputetë të tjerë kanë parashtruar kërkesën për formimin e Komisonit Hetimor për çështjen e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-ës,me këtë arsyetim:duhet të hetohet baza ligjore e marrjes së vendimit për të nisur procesin e privatizimit të PTK-ës;duhet të bëhet hetimi i procedurave të tërësishme të ndjekura të privatizimit që nga shpallja e interesit për privatizim,publikimi i kompanisë më të mirë, si dhe përmbyllja me miratim në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo,gjithë kjo, si tha z.Beqiri ka kaluar nëpër procedura jo të rregullta, duke lënë hapësirë për të dyshuar. Në mbështetje të këtyre fakteve z. Beqiri tha se është krijuar baza ligjore për zgjedhjen e Komisionit Hetimor.
Visar Ymeri në emër të GP të VVetëvendosjes tha se ajo që ka karakterizuar procesin e privatizimit të PTK-ës në të tri fazat është një puç qeveritar,sepse Kuvendi është ai që merr vendime për privatizim të ndërmarrjeve publike , e jo Qeveria që është administratore në këtë proces. Në vazhdim ai u shpreh se mënyra si është proceduar procesi i privatizimit ,pa e pasur vendimin e plotfuqishëm të Kuvendit është shkelje e funksionit ekskluziv të Kuvendit ndaj ndërmarrjeve publike në Kosovë. Qeveria , tha ai, ka marrë vendim krye më vete për pronën publike. Edhe mënyra se si deputetët e pozitës bojkotojnë seancën tregon sa ata duan të pamundësojnë marrjen e vendimeve për pronën publike.
Duke folur në emër të GP të AAK-ës,Ardian Gjini tha se bojkotimi i seancës është sjellje jodemoktratike, ndërkaq në vijim vlerësoi se procesin e privatizimit e kanë shoqëruar shumë parregullsi dhe probleme. Hetimi i privatizimit, tha ai, duhet të bëhet edhe për procese të mëparshme të privatizimit.
Deputetja Alma Lama theksoi se vendimi për të sjellë çështjen e privatizimit të PTK-ës në Kuvend ishte bërë me qëllim që grupi i ministrave që kanë marrë pjesë në këtë proces t'i ikin përgjegjësisë penale.
Deputeti Muhamet Mustafa pohoi se procesit të privatizimit i mungon baza ligjore. Qeveria,tha ai, duhet të tregojë se pse qe katër vjet nuk e ka bërë privatizimin, ndërkaq, ajo që thuhet se do t' i bjerë vlera PTK-ës është paragjykim. Përgjegjësinë duhet ta marrin ata që e kanë udhëhequr privatizimin,theksoi ai.
Në seancë, nga GP i LDK-ës, anëtarë të Komisionit Hetimor u propozuan të zgjedhen Hykmete Bajrami dhe Armend Zemaj, nga Grupi VVetëvendosje,Visar Ymeri, ndërsa nga GP i AAK-ës u propozua Burim Ramadani. Kryesues i Komisionit u propozua deputeti Muhamet Mustafa.
Duke përmbyllur debatin, kryekuvendari Krasniqi edhe njëherë lexoi para deputetëve nenin 7 të Ligjit mbi privatizimin. Ndërkaq,pasi konstatoi se në sallë janë 53 deputetë ( në fillim ishin 57), theksoi se grupet që nuk kanë bërë propozimet për anëtarë të Komisionit Hetimor,mund ta bëjnë këtë në mbledhjen e radhës .