Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 02.10.2013




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar, shqyrtoi raportin e auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2012.

Duke bërë një prezantim përmbledhës të raportit, kryetari Sadriu evidentoi të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm në këtë ministri, rekomandimet e dhëna dhe adresimin e tyre.

Në vazhdim, edhe anëtarët e tjerë të komisionit dhanë vlerësimet për raportin e prezantuar dhe të gjeturat e auditorit. Deputetët folën me tone pozitive për mënyrën e menaxhimit të parasë publike nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan sqarime për disa të gjetura dhe marrjen e masave për evitimin e tyre në të ardhmen, si: regjistrimin e pasurisë, çështjen e akteve të emërimit për zyrtarët e kësaj ministrie etj.

Ministri i Drejtësisë, njëherësh zv/kryeministër i vendit, Hajredin Kuçi, dha sqarimet e nevojshme në çështjet e ngritura, duke vlerësuar se në ministrinë që ai udhëheq nuk do të ketë lëshime ndaj çdo shkeljeje eventuale.

"Do të përpiqem maksimalisht që t'ia ruaj emrin ‘drejtësi' kësaj ministrie", theksoi zv/ministri Kuçi.

Në fund, kryetari Sadriu kërkoi nga ministri i Drejtësisë që brenda një muaji t'i sjell komisionit planin e veprimit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike