Lajmet e fundit
Dy komisione të Kuvendit pritën delegacionin parlamentar nga Sllovakia
E Marte, 01.10.2013
Delegacioni parlamentar i Sllovakisë, i kryesuar nga Ivan Stefanec, në përbërje të të cilit ishin deputetë nga të gjitha grupet politike të Parlamentit sllovak, është pritur sot nga anëtarët e dy komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës: Komisionit për Punë të Jashtme dhe të atij për Integrime Evropiane.
Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë miqve sllovakë, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, ka përkujtuar se në pesë vjet e gjysmë të pavarësisë së Kosovës, vendin tonë e kanë njohur mbi gjysma e vendeve anëtare të OKB-së dhe 23 vende të BE-së. "Kosova promovon dhe kultivon marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e botës, e veçanërisht me vendet e BE-së, andaj shpresojmë se edhe Sllovakia, duke e ndjekur shembullin e tyre, do ta njohë Kosovën, duke hapur kështu perspektiva për komunikime dhe marrëdhënie në shumë fusha të jetës, në interes të përbashkët për të dy vendet dhe popujt e tyre", ka theksuar Kurti. Ai në vazhdim ka folur për rrugën e shtetformuese të Kosovës , por edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet vendi ynë, si : zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik, papunësia në rritje, obstruksionet e strukturave serbe në Kosovë dhe korrupsioni enorm.
Kryesuesi i delegacionit parlamentar nga Sllovakia, Ivan Stefanec, duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë në Kosovë, ka pohuar se ka për objektiv përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, të cilat doemos do të reflektojnë pozitivisht edhe për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve. Duke përkujtuar rrugën shtetformuese të Sllovakisë dhe të anëtarësimit të saj në BE dhe në NATO, ai ka theksuar se vendi i tij mbështet rrugën evropiane të Kosovës , si dhe të vendeve të tjera, duke shtuar se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i politikës së jashtme të vendit të tij. Ai është shprehur i bindur, ndërkaq, që bisedimet me Beogradin në Bruksel do të reflektohen pozitivisht për shtensionimin e raporteve në këtë pjesë të Evropës dhe do të reflektojnë pozitivisht edhe për perspektiven e të gjitha vendeve të rajonit.
Edhe parlamentarët e tjerë sllovakë janë shprehur të bindur për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe kanë vlerësuar pasuritë natyrore të Kosovës, e veçmas potencialin njerëzor të vendit tonë, me një rini të shumtë e të shëndetshme si rrallëkund, Ata, ndërkaq, kanë shtruar pyetje të shumta për perspektivat zhvillimore të Kosovës, për integrimin e komuniteteve pakicë, sidomos për të zhvendosurit serbë, siç janë shprehur ata " të 200 mijë serbëve nga Kosova, nga të cilët 40 mijë nga Prishtina", si dhe për rezultatet e kthimit të serbe në pronat e tyre.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka theksuar se shqiptarët shpeshherë akuzohen gabimisht se e kanë shkatërruar Jugosllavinë. "Jugosllavinë e kanë shkatërruar ata ë e kanë formuar: serbët, kroatët dhe sllovenët", ka spikatur Haliti. Ai ndërkaq ka pohuar se serbë të shumtë janë larguar në përfundim të luftës, pjesa më e madhe e të cilëve i kanë shitur pronat në Kosovë, janë integruar në vendbanime të ndryshme të Serbisë dhe se shumica e tyre nuk dëshirojnë të kthehen në Kosovën e varfër. Ai ka pohuar se nuk po kthehen madje as serbët, të cilëve Qeveria e Kosovës u ka ndërtuar shtëpi të reja.
"Asnjëherë gjatë historisë në Kosovë nuk kanë jetuar 200 mijë serbë, dhe nuk kanë jetuar asnjëherë 40 mijë serbë në Prishtinë, siç trumbeton propaganda e fuqishme e Beogradit", ka theksuar nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti. Duke pohuar se shifrat janë të ekzagjeruar, ai ka mbajtur qëndrim se të shpërngulur nuk mund të konsiderohen pjesëtarët e forcave militare dhe paramilitare serbe, të cilët kanë ushtruar gjenocid në Kosovë, e që janë kthyet të mundur në shtëpitë e tyre.
Nënkryetari nga radhët e komuniteteve të tjera pakicë, Enis Kervan, duke përkujtuar se komunitetet pakicë që përfaqëson në Kuvend numerikisht bëjnë më shumë se serbët që jetojnë në Kosovë, ka theksuar privilegjimin dhe mbipërfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Edhe deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi ka folur për integrimin e komunitetit të saj dhe të komuniteteve të tjera pakicë, ndërkohë që serbët janë integruar fare pak, megjithëse gëzojnë privilegjet më të mëdha.
Deputetja Suzana Novobërdali ka folur për ligjet që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës në funksion të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të qytetarëve, përfshirë edhe liritë fetare, me të drejta të privilegjuara për komunitetin ortodoks serb, kurse Alma lama është përqendruar tek instrumentalizimi politik i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë që e pengon integrimin e këtij komuniteti. Deputetja Vjosa Osmani, ndërkaq, ka folur për rëndësinë që i jep Kuvendi i Kosovës harmonizimit të ligjeve që i miraton me legjislacionin e vendeve të BE-së.
Parlamentarët e Kosovës kanë pohuar se janë të mirëpritura dhe të sigurta investimet sllovake në ekonominë tonë. Të gjithë deputetët kosovarë që kanë folur në takim kanë pohuar se ekziston konsensus i plotë nacional dhe partiak për integrimin evropian të Kosovës.
Deputetët e të dyja delegacioneve i kanë dhënë mbështetje idesë së parlamentarëve sllovakë për krijimin e grupit joformal të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve.