Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 01.10.2013




Gjendja e aviacionit civil në Kosovë, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit. Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit u njoftuan nga Ramiz Fazliu, këshilltar i ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe Dritan Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

Duke folur për trafikun ajror dhe masat që është duke marrë MI-ja për udhëtimin e sigurt të udhëtarëve, Fazliu fillimisht njoftoi për hartimin e Projektligjit për Themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror, për të cilin tha se është në fazën e përgatitjes për procedim në Qeveri. Ai në vijim njoftoi edhe për numrin e udhëtarëve dhe fluturimet e realizuara nga Aeroporti Ndërkombëtar "Adem Jashari" të Prishtinës. "Trafiku i udhëtarëve po vazhdon të rritet, përkundër faktit që Kosova nuk i ka disa prej avantazheve të vendeve përreth, siç është liberalizimi i vizave", tha ai. Këtë konstatim, Fazliu e ilustroi me faktin se vetëm deri në korrik të këtij viti nga Aeroporti Ndërkombëtar "Adem Jashari" në Prishtinë kanë realizuar fluturimin një milion e 175 mijë udhëtarë, rritje kjo prej 12 % më e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Ai foli edhe për kompanitë ajrore që operojnë në Kosovë, të cilat nuk i kanë përmbushur obligimet ndaj udhëtarëve. Me këtë rast ai vuri në dukje papërgjegjësinë e kompanisë" Darwin" dhe " Bella Air", për të cilat është raportuar se kanë shkaktuar probleme. Lidhur me sjelljen jokorrekte ndaj udhëtarëve nga këto kompani, ai tha se MI-ja ka pranuar katër ankesa nga udhëtarët. Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit, se çfarë masash ka marrë ministria ndaj këtyre kompanive, Fazliu tha:" Legjislacioni evropian si dhe ai i Kosovës, nuk parashikon tërheqjen e licencës si rezultat i shkeljeve të të drejtave të udhëtarëve. Kjo mund të ndodhë vetëm në rast se kompania ajrore nuk i plotëson standardet evropiane të sigurisë".

Lidhur me sigurinë e udhëtimeve, foli edhe drejtori i AAC-së, Dritan Gjonbalaj. Ai pasi foli për misionin AAC-së dhe përkushtimin e tyre për përmbushjen e tij, njoftoi se AAC-ja gjatë këtij viti ka kryer mbi 50 inspektime të kompanive, përkatësisht avionëve që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari" të Prishtinës. Gjatë këtij inspektimi, tha ai, AAC-ja nuk ka evidentuar asnjë rast që do të rrezikonte sigurinë e udhëtarëve gjatë udhëtimit.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu në parim edhe Projektligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Lidhur me këtë Projektligj, komisioni formoi edhe grupin punues, të cilin do ta kryesojë deputeti, Shaip Muja.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...