Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Premte, 27.09.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka shqyrtuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për konsultim me komisionin, lidhur me vendimin për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës në duhan.
Kryetarja Hadërgjonaj tha se qeveria, bazuar në kornizën ligjore në fuqi, ka marrë vendim që ta rrisë normën e akcizës në duhan, në dy faza: nga 1 tetori i këtij viti ngritja e normës të bëhet nga 27 euro në 30 euro për njësi, ndërsa nga 1 janari 2014, parashihet ngritja nga 30 euro në 32 euro për njësi.
Duke paraqitur kërkesën, ministri i Financave, Besim Beqaj, tha se ideja për rritjen e kësaj norme, përveç ruajtjes së shëndetit publik, është edhe rezultat i një takimi të zhvilluar kohë më parë në Mal të Zi, në nivel të ministrave të rajonit. Ai tha se Kosova është vendi me taksën më të ulët në rajon sa i përket akcizës së duhanit.
Ministri i Financave theksoi se ky vendim i qeverisë do të ketë ndikime pozitive në buxhet, por gjithashtu, edhe në procesin e implementimit të Ligjit për duhanin. Vendimi, sipas tij, do ta eliminojë mundësinë e evazionit fiskal.
Pas diskutimeve të deputetëve, komisioni njëzëri përkrahu këtë vendim.
Në këtë mbledhje u caktua edhe grupi punues për shqyrtimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Administratën Tatimore dhe procedurat, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-102.