Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 26.09.2013
Vazhdimi i mbledhjes së 12 shtatorit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që u kryesua nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Sabri Hamiti) filloi me emërimin e Komisionit ad-hoc për shqyrtimin e aplikacioneve lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor të punës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2012 është shtyrë për një mbledhje tjetër të radhës, pas kërkesës së kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Ali Sadriu, i cili sqaroi se është e domosdoshme që gjatë shqyrtimit të këtij raporti të jenë të bashkangjitura edhe tabelat e audituara për këtë institucion.
Deputetë të Kuvendit votuan për përzgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe të një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media. Mirëpo, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota të mjaftueshme.
Tutje, u shqyrtua dhe u përkrah në parim Projektligji për investimet e huaja, të cilin e prezantoi zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, për të shpalosur para deputetëve rëndësinë e këtij ligji në fushën e ekonomisë. Me këtë rast ajo sqaroi se ky projektligj rregullon mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja në Kosovë dhe se përmes këtij ligji investitorëve të huaj u ofrohen të drejta të barabarta sikurse investitorëve vendorë.
Deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe Projektligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, (të cilin e prezantoi Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar). Pas diskutimit të deputetëve lidhur me këtë projektligj dhe IKAP-in, foli edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Kreu i Kuvendit duke përmendur ekzistimin e universitetit në Prishtinë dhe shumë universiteteve tjera në qytete të ndryshme të Kosovës dhe sosh private të akredituara, konsideroi se ky institut i ka pushuar nevojat dhe planifikimi për ngritjen e kapaciteteve të administratës në aspektin profesional duhet t'iu besohet institucioneve të larta arsimore. "Politika që po udhëheq në këtë fushë nuk po dërgon atje njerëzit që e kanë dijen, përgatitjen dhe eksperiencën. Dhe, pas dy tri viteve ky institucion është degraduar dhe po t'i bëhet një analizë e mirë duhet të shpërbehej. Planifikimi arsimor për administratën publike duhet t'iu besohet institucioneve të larta të arsimit të lartë arsimor", tha Krasniqi duke shtuar se nuk është e arsyeshme që ta kemi këtë institut brenda qeverisë së Kosovës.
"Ne jemi vendi më i vogël në rajon dhe Evropë dhe kemi shumë komisione të pavarura dhe një administratë të stërngarkuar. Me këtë administratë të ngarkuar ne nuk mund të integrohemi në institucionet evropiane", tha Krasniqi.
Në vijim të mbledhjes deputetët shqyrtuan edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën tatimore dhe procedurat, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-102, (të cilin e prezantoi ministri i Financave, Besim Beqaj), si dhe Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht, (të cilin e prezantoi zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi)
Kuvendi shqyrtoi edhe Raportin e Komisionit për të Drejta e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për barazi gjinore, të cilin e prezantoi kryetarja e këtij komisioni, Suzan Novobrdali. Me këtë rast ajo theksoi se procesi i zbatimit të ligjit po ballafaqohet me sfida të shumta, duke përmendur me këtë rast nivelin e ulët të femrave të punësuara në nivelin lokal, si dhe nivelin e ulët të tyre në pozitat udhëheqëse dhe mosraportimin e qeverisë në Kuvend për çështjen e barazisë gjinore.
Më tej Novobërdali paraqiti edhe rekomandimet e komisionit. "Qeveria gjatë hartimit të ligjit për barazi gjinore duhet ta përfshijë ndryshimin e nenit 3, ku pjesëmarrja e barabartë e një gjinie në organet e të gjitha niveleve të pushtetit ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor, e institucione publike nga 40 për qind, të zëvendësohet me 50 për qind", tha Novobrdali duke shtuar se numri i femrave në pozitat vendimarrëse dhe ato të menaxhimit duhet të jetë 50 për qind.
Duke shpalosur rekomandimet u kërkua që të ndryshohet neni 5, si dhe në tërë tekstin e ligjit emërtimi zyra për barazi gjinore të zëvendësohet me emërtimin agjencia për barazi gjinore.
Të hiqen nenet 6, 7 , 8 dhe të bëhet plotësimi i nenit 17, ishin disa nga rekomandimet e këtij komisioni, duke u kërkuar tutje se qeveria obligohet të ndajë një fond dhe linjë të veçantë buxhetore për çështje gjinore, si dhe të ngritet niveli i raportimit të qeverisë në Kuvend për çështjet e barazisë gjinore.
Pas shqyrtimit të këtij raporti, në mungesë kuorumi Kuvendi ndërpreu punimet, ndërkaq, votimi do të bëhet në mbledhjen e radhës, pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit.