Lajmet e fundit
Takim i Komisionit për të Drejtat e Njeriut...me Komisionin për çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës
E Enjte, 26.09.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Suzan Novobërdali, kishte sot një takim me Komisionin për çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës, të kryesuar nga znj. Eva Kjer Hansen, kryetare e Komitetit për Çështje të BE-së.
Pasi përshëndeti anëtarët e Komisionit nga Danimarka për këtë vizitë, znj. Novobërdali foli për fushëveprimtarinë e këtij Komisioni,duke theksuar se në këtë Komision nuk hetohet ndarje pozitë-opozitë,pasi të gjithë anëtarët, (nga 9, tetë janë femra), janë të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë fushat që përfshin Komisioni. Në këtë frymë ajo pastaj foli edhe për të drejtat që iu garantohen me kushtetutë komuniteteve, siç është sigurimi i vendeve të veçanta në përbërjen e Kuvendit, pastaj kujdesi ndaj strukturës gjinore, fryt i së cilës është numri gjithnjë e më i madh e femrave deputete. Dymbëdhjetë deputete kanë fituar këtë të drejtë mbi bazën e votave të drejtpërdrejta që kanë marrë në procesin e votimit në zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoi znj. Novobërdali.
Në këtë takim u fol mjaft edhe për plagën e rëndë,siç është problemi i të pagjeturve,sidomos për vendndodhjen e viktimave,por edhe faktin se Serbia nuk bën përpjekje të duhura për zbulimin e varrezave masive ,megjithëse ato i di. Madje,ka raste të rënda si ai i Rashkës, ku dihet se ekziston një varrezë masive , ndërsa përmbi të është ndërtuar një ndërtesë.
Nga mysafirët u tregua interesim edhe për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Lidhur me këtë Suzan Novobërdali tha :"Jemi për bisedime fryt i të cilave do të jetë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjithnjë duke shikuar përpara,por do të ishte mirë që Serbia të kompensojë dëmet e shkaktuara në Kosovë."
Përkitazi me pyetjen rreth faktit se opozita nuk përkrah këto bisedime, Albana Gashi tha se Lëvizja Vetëvendosje parimisht nuk është kundër bisedimeve,mirëpo Serbia duhet të plotësojë disa kushte, e kjo nuk ndodh,pasi Serbia me kushtetutë të saj, Kosovën e quan territor të vet. Ajo pastaj foli edhe për mohimin e të drejtave të shqiptarëve,sidomos të të rinjve, që jetojnë brenda shtetit të Serbisë,të cilëve iu shkelen të drejtat,nuk vështrohet pozita e tyre në mënyrë humanitare,që si pasojë të rinjtë shqiptarë braktisin vendlindjen e tyre. Znj. Gashi në vijim shtroi pyetjen se si mund të flitet për integrim derisa formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.