Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisionin për Çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës

E Enjte, 26.09.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim Komisionin për çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës, të kryesuar nga Eva Kjer Hansen, kryetare e Komitetit për Çështje të BE-së.
Duke çmuar lart bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, kryetari Krasniqi shprehu falënderimin për ndihmën që shteti danez i ka dhënë Kosovës në rrugës e saj të lirisë, të ndërtimit të institucioneve e zhvillimit të demokracisë. Në vazhdim, kryeparlamentari Krasniqi dha një pasqyrë të punës së Kuvendit e të përbërjes së tij, me theks të veçantë, të përfaqësimit të komuniteteve pakicë. Në këtë funksion, kryetari i Kuvendit përmendi edhe të drejtat që këto komunitete, veçanërisht ai serb, gëzojnë edhe në sfera të tjera të jetës politike e shoqërore të vendit tonë, të kodifikuara në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetes daneze, Hansen, lidhur me situatën aktuale në Kosovë dhe sfidat me të cilat ajo po përballet, kryetari Krasniqi përmendi nevojën për vendosjen e rendit e të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, rritjen e mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të tjera të pavarura, si dhe zhvillimin e ekonomisë e zvogëlimin e papunësisë.
Deputetët nga Danimarka i interesuan edhe për procesin e zgjedhjeve lokale dhe pritjet për daljen e qytetarëve në to. Përkitazi me këtë, kryetari Krasniqi e konsideroi me rendësi që këto zgjedhje të jetë të lira dhe demokratike, si dhe daljen e një numri sa më të madh të serbëve nga i gjithë territori i Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisionin për Çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës