Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane priti delegacionin nga Parlamenti i Danimarkës

E Enjte, 26.09.2013




Delegacioni i Parlamentit të Danimarkës, i kryesuar nga znj.Eva Kjer Hansen, kryetare e Komitetit për Çështje Evropiane të këtij Parlamentit, është pritur sot nga anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës. Në këtë takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë në sensin e rrugës evropiane të vendit.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, i cili e ka drejtuar takimin, ka falënderuar Danimarkën për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës dhe për njohjen e shpejtë të vendit tonë. Ai, si dhe anëtarët e tjerë të Komisionit, kanë shprehur interesin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, sidomos për njohjen e përvojave të shkëlqyera daneze për mbikëqyrjen e Qeverisë. "Parlamenti i Danimarkës është parlamenti më i fuqishëm i Evropës, për sa i përket mbikëqyrjes së ekzekutivit, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës, si shumica e parlamenteve të rajonit tonë, vlerësohen si më të paefektshmet në planin e mbikëqyrjes së qeverive", ka theksuar Haziri.
Kuvendarët e Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim, kanë kërkuar
mbështetjen e shtetit skandinav për Kosovën, sidomos në procesin e stabilizim-asocimit dhe të liberalizimit të vizave.
Kryetarja e Komitetit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës, znj.Eva Kjer Hansen, ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në Kosovë, në kuadër të një vizitë rajonale të anëtarëve të Komisionit, të cilin e udhëheq. Ajo ka vlerësuar të arriturat e Kosovës në vitet e shkuara , ndërkaq është interesuar për sfidat me të cilat ballafaqohet vendi. Duke pohuar përvojën e gjatë (40 vjeçare) të komisionit për mbikëqyrjen e Qeverisë, Hansen ka shprehur gatishmërinë komisionit danez që Kuvendi i Kosovës, komisionet parlamentare dhe stafi i Administratës së Kuvendit , të njihen me përvojat daneze të mbikëqyrjes.
Anëtarët e delegacionit parlamentar danez kanë shtruar pyetje të ndryshme për sa i përket miratimit të ligjeve dhe punës së Komisionit për In teprime Evropian për harmonizimin e legjislacionit me atë të vendeve të BE-së, të cilave u janë përgjigjur parlamentarët e Kosovës.

Komisioni për Integrime Evropiane  priti delegacionin nga Parlamenti i Danimarkës