Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 23.09.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten, më 26 shtator.

Seanca do të fillojë me dy pikat e mbetura të 12 shtatorit: Formimi i Komisionit ad-hoc për shqyrtimin e aplikacioneve lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së, si dhe Zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Projektligji për ë ratifikimin e neneve të Marrëveshjes Themeluese të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe anëtarësimin e Kosovës në BZHKE.

Do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për Investimet e huaja, Projektligji për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-222 mbi administratën tatimore dhe procedurat, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-102, si dhe Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, ose të panelit për lirim me kusht.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2012, Raporti i Komisionit për Drejta e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për barazi Gjinore, si dhe Rekomandimi i Komisionit për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kryesia në takimin e sotëm, pasi e ka shqyrtuar kërkesën e deputetëve: Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli (të përkrahur nga grupi i deputetëve nënshkrues) për shqyrtim dhe miratim të Projektligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, konform Rregullores së Kuvendit, Projektligjin ka vendosur t'ia dërgojë Qeverisë, për mendim.

Ndërkaq, lidhur me propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e kryesuesit ehe të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kryesia kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t'i caktojë tre gjykatës për anëtarë të Organit Përzgjedhës të Pavarur, që do të emërohen nga Kuvendi për përzgjedhjen e kryesuesit dhe të anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës