Lajmet e fundit

Anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane vizituan Kroacinë

E Premte, 20.09.2013




Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, si dhe anëtarët Glauk Konjufca e Ismet Beqiri vizituan Republikën e Kroacisë, në vazhdën e përgatitjeve para negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, kurse së bashku me komisionin parlamentar ishte edhe Gëzim Kasapolli, zëvendës ministër për Integrim Evropian.

Me këtë rast delegacioni i Kosovës ka zhvilluar takime në Parlamentin e Kroacisë (Sabor), si dhe në Ministrinë e Jashtme dhe për Çështje Evropiane, ndërsa u pritën nga Komisioni Parlamentar për Çështje Evropiane në Parlamentin e Kroacisë (Sabor).

Lutfi Haziri duke folur në emër të delegacionit të Kosovës bëri një përshkrim të gjendjes së Republikës së Kosovës lidhur me procesin e integrimit evropian dhe rolin e Kuvendit në përafrimin e legjislacionit me Acquis të BE-së, si dhe bashkëpunimin me Qeverinë. Haziri theksoi faktin se Kroacia është shembulli më i mirë që tregon një storie të suksesit në integrimin evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, Daniel Mondekar, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane në Parlamentin e Kroacisë mirëpriti delegacionin nga Kosova dhe tha se parlamenti kroat do ta mbështesë parlamentin e Kosovës në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Mendekar tregoi për sfidat nëpër të cilat ka kaluar Kroacia gjatë procesit të anëtarësimit në BE.

Delegacioni kosovar po ashtu është pritur edhe nga Andrej Plenkoviq, eurodeputet kroat në Parlamentin Evropian. Ata kanë zhvilluar takime të ndryshme edhe në Ministrinë e Jashtme dhe për Çështje Evropiane, si dhe u takuan me Maja Bogdan, udhëheqëse e Divizionit për COREER II, si dhe Zhelko Kuprica, ish-ambasador i Kroacisë në Beograd.

Në të gjitha takimet pala kroate vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale janë zhvilluar mirë , duke siguruar se nuk do të mungojë mbështetja e Kroacisë për Kosovën dhe aspiratat e saj evropiane.

Anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane vizituan KroacinëAnëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane vizituan Kroacinë