Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Premte, 20.09.2013
Komisioni për Punë të Jashtme mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, shqyrtoi propozimin për formimin e grupeve të miqësisë në Kuvendin e Kosovës.
Në legjislaturat e kaluara ishin krijuar grupe të miqësisë me Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, me Parlamentin francez, me Bundestagun gjerman, si dhe me Parlamentin e Turqisë, ka theksuar Kurti, duke pohuar se aktualisht funksionon mirë vetëm grupi i miqësisë me Parlamentin turk dhe deri diku grupi i miqësisë me Parlamentin e Francës.
Duke e shqyrtuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, të 6.9.2013, bazuar në një vendim të mëhershëm të Kryesisë, për formimin e 16 grupeve të miqësisë me shtete të veçanta por edhe me grupe shtetesh të rajoneve të ndryshme të botës, anëtarët e komisionit e kanë quajtur të domosdoshme krijimin dhe funksionalizimin e grupeve të miqësisë. Ata ndërkaq e kanë parë të nevojshme jo vetëm deklarimin e vetë deputetëve se në cilin grup të miqësisë dëshirojnë të anëtarësohen (duke pasur parasysh afinitetet, njohjen e gjuhës, të kulturës dhe të historisë së vendit të dhënë), por edhe sigurimin e buxhetit për funksionimin e mirë të këtyre grupeve, si dhe stafin profesional mbështetës.
Në takim, ndërkaq, ka pasur debat nëse grupet e miqësisë mund të krijohen edhe për grupe shtetesh të një rajoni, si dhe për mundësitë e krijimit të grupeve të miqësisë me vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Anëtarët e Komisionit janë pajtuar që Kryesia e Kuvendit të njoftohet me shkrim lidhur me propozimet dhe vërejtjet e Komisionit për grupet e propozuara të miqësisë, para se ta merret vendimi përfundimtar për krijimin e këtyre grupeve.