Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi dënon sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX-it
E Enjte, 19.09.2013
Me rastin e sulmit ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në Zveçan, ku nga plagët e marra vdiq zyrtari me inicialet A.S. nga Lituania ,kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dha këtë deklaratë:"
Me trishtim e mora lajmin e hidhur për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it në mëngjesin e sotëm në Zveçan.
Në emër të Kuvendit dhe timin, zotit Bernd Borchardt, shef i Misionit EULEX, i shpreh ngushëllimet e sinqerta, kurse nëpërmjet tij ngushëlloj edhe familjarët e të ndjerit në Lituaninë mike.
Duke dënuar këtë akt kriminal, kërkoj që vrasësit të kapen dhe të sillen para organeve të drejtësisë.
Ky sulm qyqar mori jetën e një zyrtari të pafajshëm, që po i kontribuonte interesit të të gjithë qytetarëve tanë dhe sigurisë e rendit, ligjshmërisë dhe zhvillimit institucional të Kosovës. Ai nxjerr para nesh edhe njëherë nevojën e ngutshme të forcimit të sigurisë, të lëvizjes së lirë dhe funksionimit normal të institucioneve të Kosovës", theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.