Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Mërkure, 18.09.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, temë qendrore ishte shqyrtimi i propozimeve të Bordit të RTK-ës, për financimin e Radiotelevizionit të Kosovës. Bordi i RTK-ës ia kishte dorëzuar Komisionit një material lidhur me propozimet se si e shikojnë ata zgjidhjen e problemit të financimit të këtij mediumi publik, nga i cili shihej se ata kanë tri alternativa se si ky problem mund të zgjidhet: përkatësisht nëpërmjet sigurimit të mjeteve nga buxheti shtetit,nga parapagimi i qytetarëve ose nga mjetet e ndara nga akciza. Për këto propozime folën gjerësisht drejtori i Bordit të RTK-ës,Rrahman Paçarizi dhe drejtori i përgjithshëm, Mentor Shala,ndërsa në debat morën pjesë edhe anëtarët e Komisionit. Angazhimi i të gjithë folësve përqendrohej në atë se duhet të bëhen përpjekje më të mëdha që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme financimi për mediumin publik-RTK-ën. Kishte mjaft diskutime nga të cilat parapëlqehej forma e sigurimit të mjeteve nga akciza,por edhe nga parapagimi. Këto forma financimi,theksonin ata, do ta shmangnin perceptimin e shikuesve se nëpërmjet financimit bëhen edhe ndikime në politikën redaktuese të RTK-ës. Mirëpo, çështje ishte se a do të mund të siguroheshin me rregull dhe në masën e duhur mjetet financiare nga këto burime.
Mentor Shala ishte për atë që financimi i RTK-ës të bëhet nga mjetet e buxhetit të Kosovës, sepse sipas tij, kjo do të siguronte mbarëvajtje të punës,duke theksuar se kjo formë aplikohet edhe nga shtete të ndryshme evropiane. Shala foli edhe për vështirësitë aktuale me të cilat po ballafaqohet RTK-ja ,posaçërisht pas fillimit të punës edhe të Kanalit të dytë të RTK-ës në gjuhën serbe, që ka shtuar dukshëm shpenzimet buxhetore. Shih për këtë, ai shtroi nevojën që shkalla prej 0, 7 për qind e buxhetit, sa ndahet aktualisht për RTK-ën, të ngritet.
Gjatë debatit u përmend edhe çështja e mos zgjidhjes së pronës së RTK-ës, e cila siç u tha, po reflektohet negativisht në punën e këtij mediumi.
Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje ishte edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale,i cili u shty për javën e ardhshme.