Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 18.09.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti i Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2012.
Fillimisht, anëtarët e komisionit pasi paraqitën vërejtjet e tyre lidhur me të gjeturat në këtë ministri nga ana e ZAP-it, kërkuan sqarime të shumta nga ministri i i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci.
Një sërë çështjesh rreth të gjeturave në këtë ministri nga ana e ZAP-it ngriti kryetari i komisionit, Ali Sadriu. Ai sqaroi se nga viti i kaluar ka pasur tetë rekomandime, prej të cilave dy rekomandime janë adresuar, pesë sosh janë në proces të adresimit, ndërkaq një rekomandim nuk është adresuar fare. Duke kërkuar sqarime nga ministri Stavileci, Sadriu, mes tjerash përmendi edhe çështjen e mos shfrytëzimit të buxhetit për paga dhe meditje. Ndërkaq, nënkryetari i komisionit, Ramiz Lladrovci, duke theksuar faktin se krahasuar me vitin paraprak opinioni i ZAP-it në këtë raport është paksa më i dobët, me theksim të çështjes, për shkak të regjistrimit të pasurisë, shtoi se pasqyrat financiare janë prezantuar drejt. Megjithatë, duke vlerësuar punën e ministrit në këtë institucion, Lladrovci tha se ministri i MBPZHR-së duhet të ndërmarrë masa ndaj përgjegjësve në këtë proces, në mënyrë që të sqarohen lëshimet teknike, si të gjetura.
Tutje, foli edhe nënkryetari i dytë i komisionit, Murselj Haljilji, i cili mes tjerash vlerësoi se ky raport precizon mangësitë e verifikimit të prejardhjes se mallrave për plehra. Ndërsa, anëtari i komisionit, Imri Ahmeti, përmendi edhe çështjen e kontratave për shërbime të veçanta me punëtorë, duke kritikuar faktin e mos hapjen së konkurseve për vende të reja pune. Tutje, anëtari i komisionit, Afrim Hoti, shfaqi kritika për këtë ministri lidhur me menaxhimin e burimeve njerëzore. Ai përmendi disa nga pozitat si ushtrues detyre në pozita menaxheriale për më shumë së tre muaj.
Anëtarja e komisionit, Valbona Dibra, duke vlerësuar punën e kësaj ministrie, tha se opinioni i dhënë nga ZAP-i është i nivelit të duhur dhe se kjo tregon përfomancë të mirë të kësaj ministrie, me theksim të çështjes, për arsye të regjistrimit të pasurisë. Dibra theksoi se regjistrimi i pasurisë është sfidë dhe problem për të gjitha institucionet e vendit, duke shtuar më tej se të gjeturat që janë identifikuar duhet të trajtohen nga ministri dhe stafi i tij, në mënyrë që të evitohen.
Anëtari i komisionit Albert Kinolli, pasi vlerësoi lart punën dhe angazhimin e ministrit Stavileci në MBPZHR, kërkoi sqarim lidhur me shpenzimet tek regjistrimi i të hyrave në kode joadekuate.
Ministri i i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, pasi u përgjigj në çështjet që u ngritën gjatë këtij takimi, siguroi anëtarët e komisionit se është vullnet i tij dhe i stafit të kësaj ministrie që t'i evitojnë të gjeturat. "Përderisa këto të gjetura nuk janë materiale, kjo na jep edhe më shumë vullnet dhe motiv për t'i rregulluar lëshimet, ngase vetëm atëherë do të jemi të përsosur", tha ministri Stavileci.
Ndërsa, zv/auditori i përgjithshëm, Artan Venhari, tha se të gjeturat në MBPZHR janë në nivelin e njëjtë krahasuar me vitin paraprak, duke përmendur mes tjerash edhe faktin se kjo ministri është ndër institucionet më të hapura.
Anëtarët e komisionit duke përkrahur raportin, shpalosën edhe katër rekomandimet e komisionit për këtë ministri. Me këtë rast ata kërkuan që MBPZHR-ja të bëjë një plan veprimi dhe deri në fund të këtij viti t'ia paraqesë komisionit.