Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Marte, 17.09.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, mbajti sot mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor. Në filim të kësaj mbledhje, kryetarja e komisionit Suzan Novobërdali, njoftoi për përgatitjet që janë duke u bërë për një vizitë studimore jashtë vendit, e që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve. Këtë vizitë, tha ajo, komisioni do ta realizojë pasi që Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve të arrijë në Kuvend. Ajo po ashtu bëri të ditur se vizita sponsorizohet nga UNICEF-i. Në vijim të mbledhjes u diskutua edhe për organizimin e një tryezë pune, e që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve. Për rrjedhën e organizimit të saj, njoftoi Donjeta Kelmendi, koordinatore e koalicionit të OJQ-ve. Kjo tryezë pritet të mbahet në fund të këtij muaji.
Pas kësaj, deputetja Albana Gashi, kryesuese e grupit punues për monitorimin e Ligjit për persona të zhdukur, njoftoi për ecurinë e monitorimit të këtij Ligji. Ajo njoftoi se grupi punues ka hartuar pyetësorët, të cilët u janë dërguar të gjitha institucioneve relevante që kanë të bëjnë me persona të zhdukur. Pyetësorëve, tha në vijim ajo, u janë përgjigjur vetëm shoqatat e familjeve të të zhdukurve, ndërkaq, kritikoi Komisionin qeveritar, të cilët me arsyetimin se pyetësorët kanë konatocion politik, nuk u janë përgjigjur fare. Për sa i përket monitorimit të Ligjit për persona të verbër, ndërkaq, njoftoi deputetja, Kymete Bajraktari. Ajo tha se monitorimi i këtij Ligji do të realizohet në katër faza dhe është paraparë që të vizitohen të gjitha institucionet në domenin e të cilave bie zbatimi i Ligjit. Ajo po ashtu njoftoi se para hartimit të rekomandimeve lidhur me zbatimin e Ligjit, do të organizohet një dëgjim publik.
Në fund të kësaj mbledhje, komisioni miratoi edhe Planin e Punës për sesionin vjeshtor.